
SHBA ka regjistruar më shumë se 100,000 raste të reja me koronavirus në një ditë të vetme, për herë të parë që nga nisja e pandemisë.
Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara regjistruan 102,831 raste të reja dhe 1097 humbje jete nga Covid-19, të mërkurën.
Kjo shënon herën e parë që rastet e reja ditore të vendit arritën në gjashtë shifra, dhe është kërcimi më i lartë njëditor i infeksioneve që nga fillimi i pandemisë.
Ky rekord i ri negativ vjen pasi vendi raportoi për herë të parë më shumë se 600,000 raste të reja në një javë.
Shtetet e Bashkuara kanë raportuar gjithsej 9.48 milionë raste të konfirmuara dhe më shumë se 233,000 vdekje nga koronavirusi, megjithatë ekspertët paralajmërojnë që rritja e infeksioneve mund të vazhdojë të përkeqësohet me ardhjen e dimrit. (A2 Televizion)