Shembja e Teatrit Kombëtar, Kraja: Këshilli Bashkiak shkeli ligjin

Nga A2 CNN
18 Maj 2020, 20:46 | Aktualitet
Shembja e Teatrit Kombëtar, Kraja: Këshilli Bashkiak shkeli ligjin

Akil Kraja, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, i ftuar në studion e “Ditari” në A2, deklaroi se shembja e godinës së Teatrit Kombëtar u parapri nga një mori shkeljesh ligjore.

“Nuk di nga ta fillosh morinë e shkeljeve ligjore, disa prej tyre të karakterit penal, të cilat janë ndjekur në krimin kulturor dhe demokratik që është shembja e Teatrit Kombëtar. Të fshish në paligjshmëri një kujtim të qytetit, do të thotë që i ke shpallur luftë për interesa okulte demokracisë. Vendimi i Këshillit Bashkiak është një vendim që hedh në letër babëzinë e një bashkie që nuk di të ndalet. Njoftimi i këshilltarëve bashkiakë ka ndodhur të mërkurën, më 13 maj, dhe të nesërmen, në datë 14, pa transparencë dhe debat është publikuar vendimi. Ligji për pushtetin vendor thotë se këshilltarët bashkiakë duhet të informohen të paktën 5 ditë para marrjes së një vendimi. Këto 5 ditë duhen për t’i dhënë kohë palëve të interesuara për t’u shprehur. Kur vendimmarrja merret me urgjencë, do të thotë se ka një problematikë”, tha Kraja.

“Inspektorati i Territorit ka bërë shembje të paligjshme. Vendimi nuk mund të zbatohet në mënyrë të menjëhershme, ligji thotë se duhet minimalisht 10 ditë përpara se të zbatohet një vendim. Këshilli Kombëtar i Territorit thotë se përsa i përket leje/prishje ndërtimi jepen vetëm nga KKT për rastet e institucioneve kulturore të karakterit kombëtar. Jemi në shkelje të dyfishtë: edhe penale, edhe të neneve të KKT-së”, shtoi Kraja.

Sipas tij, nxitimi i Këshillit Bashkiak ishte për shkak se po përgatitet ngritja e një kompleksi kullash.

“Ky turravrap bëhet sepse mbrapa ish-godinës flitet për ngritjen e një kompleksi kullash të jashtëzakonshëm. Ligji, në mënyrë specifike, e ndalon Këshillin Bashkiak që të ndërmarrë një vendim të tillë jashtë kuadrit të KKT-së. Po kështu, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka bërë shkelje penale, pasi ligji e thotë qartë se nuk mund të zbatohet një vendim i Këshillit Bashkiak pa kaluar 10 ditë nga miratimi i tij”, tha Kraja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos