Shembja e Teatrit, Krasniqi: Ditë e zezë për konceptin e shtetit në Shqipëri

Nga A2 CNN
17 Maj 2020, 17:36 | Aktualitet
Shembja e Teatrit, Krasniqi: Ditë e zezë për konceptin e shtetit

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, në një lidhje direkte për “Ditari” theksoi se sot është ditë e zezë për konceptin e shtetit në Shqipëri, duke iu referuar prishjes së Teatrit Kombëtar.

“Ngjarjet e fundit treguan se në Shqipëri dominojnë pushtetet ekstrakushtetuese, pushtetet personale dhe pushtetet e klientelës. Nuk e dimë nëse urdhri ka ardhur nga kryeministri, kryetari i Bashkisë Tiranë apo nga oligarkët që fshihen pas projektit. Kemi të bëjmë me një injorim tërësor të rregullave të shtetit ligjor, të detyrimit kushtetues, të detyrimit ligjor për konsultë publike, të detyrimit të SPAK-ut për të dhënë një vendim dhe deri diku të një nevoje politike për të tensionuar situatën politike. Mbyllja e periudhës së situatës së jashtëzakonshme të Covid-19 do të thotë kthim në normalitetin politik dhe ky kthim në normalitet mund të sjellë mundësinë që vendi të ketë shanse për të rishikuar ndryshimin politik. Në kushtet e një konfrontimi, llogaritja më shumë në favor të mazhorancës dhe siç duket, kalkulimi i mbrëmshëm ka qenë sa kalkulim ekonomik, aq edhe kalkulim i interesit elektoral”, deklaroi Krasniqi.

“Nuk është çështja për të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë, nëse do të ketë një ditë drejtësi, ideja është për të parandaluar në të ardhmen situata të tilla. Ngjarja ka ndodhur natën dhe nuk ndodhin në asnjë vend të NATO-s dhe BE-së situata të tilla. Shqipëria tregoi se nuk kemi mësuar asgjë nga demokracia dhe pushtetet informale janë më të mëdha sesa pushtetet legale në Shqipëri. Si është e mundur që angazhohet e gjithë struktura e policisë në funksion të një urdhri të bashkisë, që është një urdhër në gjykatë dhe duhet pritur gjykata. Çfarë i kushtonte mazhorancës të priste 10 ditë apo dy javë për vendimin? Këto tregojnë se nuk është çështje teatri, por është një kalkulim shumë i madh politik dhe ky është ndoshta lajmi më i keq i ditës në Shqipëri dhe lajm i keq për demokracinë”, shtoi Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos