Gjykata Kushtetuese rrëzon planin e qeverisë për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Dy javë pasi dëgjoi pretendimet e palëve, gjykata vendosi të shpall si antikushtetues ligjin special që qeveria miratoi në vitin 2018, nga ku nisi edhe rrugëtimi për shembjen e godinës nën argumentin e ndërtimit të Teatrit tëri kombëtar. Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ligji cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse si dhe parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës. Qeveria i hapi rrugë shembjes së godinës duke e kaluar pronësinë e Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës. Edhe kjo VKM u rrëzua nga trupa, duke e cilësuar atë si antikushtetuese. Por gjykata nuk arriti të caktonte nëse shembja e godinës së teatrit ishte antikushteutes apo jo. Kjo për shkak se për herë të parë, gjyqtarët u ndanë duke mos arritur kuorumin prej të paktën pesë votash, çka mundëson vendimmarrjen. Për sa i përket Vendimit të Këshillit Bashkiak, nuk u formua shumica prej 5 votash, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj. Tashmë procedura për ndërtimin e godinës së teatrit është pezulluar me vendim gjykate. Mazhoranca mori kështu goditjen e radhës nga trupa kushtetuese brenda pak ditëve, pasi anëtarët kishin rrëzuar më herët si anti-kushtetues pengesën e herësit në hapjen e listave të kandidatëve për deputetë. Nga vendimi i sotëm pezullohet ndërtimi i godinës së re të teatrit, për të cilën vendimi u mor këtë javë. Por nuk u arritën votat për rrëzimin e vendimit të Këshillit Bashkiak që miratoi shembjen e teatrit. (A2 Televizion)
Shembja e teatrit, Kushtetuesja rrëzon qeverinë, pezullon ndërtimin e godinës së re
