
Milani arriti të shënonte dje golin e fitores ndaj Lazio-s në sekondat e fundit të kohës shtesë, duke mbajtur të paprekura shanset për të fituar titullin në serie A.
Goli i Tonalit që mposhti Tomas Strakoshën ishte një shpërblim i drejtë për një lojë më të mirë të “djajve”, por në mediat sociale ka qenë një detaj i kapur nga kamerat që ka ndezur polemikat.
Mbrojtësi i Lazios Francesco Acerbi, një nga protagonistët e gabimeve të njëpasnjëshme që çojnë në golin e triumfit kuqezi, kapet duke qeshur pas golit, dhe më pas shoku i tij Adam Marusic duket sikur e qorton ashpër.
Kjo skenë, të cilit i shtohet edhe e kaluara e mbrojtësit, që ka veshur fanellën e Milanit, ka mjaftuar që në rrjetet sociale të fillonin teoritë e konspiracionit, aq të forta sa vetë lojtari pak orë më vonë ka reaguar duke mbrojtur veten dhe duke i kujtuar kritikëve profesionalizmin e tij.
Por për të shfajësuar Acerbin mjafton të shihet goli, një ndërthurje gabimesh aq e madhe që përfshin të gjithë mbrojtjen sa e bën vërtet të pabesueshëm çdo përgjegjësi individuale, aq më shumë një plan për të favorizuar “djajtë”. (A2 Televizion)