
Ndonëse vlerësoi të pabazuar përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun e drogës, gjykata vëren situata të pashpjegueshme plotësisht të marrëdhënies mes tij dhe Moisi Habilajt.
Vetë Tahiri mohoi njohjen me të, por sipas gjykatës, provat tregojnë të kundërtën. Në vendim argumentohet se Moisi Habilaj ka dërguar personalisht për riparim në Itali skafin që përdorej nga Tahiri, i cili nuk dha asnjë shpjegim për rastin.
Ndërsa bashkëshortja dhe babai i ish-ministrit, teksa kanë udhëtuar në të njëjtin avion me Moisi Habilajn nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas, nuk kanë regjistruar hyrje daljet në sistemin TIMS. Për më tepër, babai i ish-ministrit ka qëndruar me Moisi Habilajn në Itali.
“Në mënyrë të përsëritur është shmangur ekspozimi i familjarëve më të afërt të të pandehurit në këto lëvizje ku në mënyrë direkte ose indirekte mund të bëhej lidhja me Moisi Habilajn”, arsyeton gjykata.
Nga ana tjetër, gjykata konstaton se Saimir Tahiri ka komunikime të shpeshta telefonike me persona të cilët nga ana tjetër komunikojnë me Moisi e Florian Habilajn dhe anëtarë të tjerë të grupit. Gjykata vlerëson se në kushtet kur lidhjet e Moisi Habilajt e Tahirit nuk ishin të panjohura, kanë kritikuar premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e Policisë së Shtetit dhe vështirësojnë luftën anti-drogë për strukturat shtetërore. Sipas gjykatës, këto fakte provojnë se Tahiri ka shpërdoruar detyrën. (A2 Televizion)