












Alarmi për sulme ajrore është lëshuar sërish në të gjithë Ukrainën, ditën e sotme, pas një vale raketash të hedhura nga Rusia.
Këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak bëri të ditur se mbi 120 raketa janë lëshuar kundër ukrainasve dhe infrastrukturës civile.
Të paktën dy shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin Kiev, por mbetet e paqartë nëse u shkaktuan nga sulmet me raketa apo nga mbrojtja ajrore.
Shpërthime u dëgjuan edhe në qytetet Kharkiv, Odesa, Lviv dhe Zhytomyr. Udhëheqësi rajonal i provincës jugore të Odesa-s, Maksym Marchenko, foli për një "sulm masiv raketor në Ukrainë".
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia po e sulmon vendin nga drejtime të ndryshme me raketa lundrimi me bazë ajrore dhe detare.
Të paktën 3 persona, përfshirë një vajzë 14-vjeçare u dërguan në spital pasi shpërthimet goditën Kievin. Në kryeqytet, dy banesa u dëmtuan si pasojë e mbetjeve të një rakete të interceptuar. Kryebashkiaku Vitali Klitcko tha se 16 raketa ishin shkatërruar nga mbrojtja ajrore.
Në Odesa, ku ka ndërprerje të energjisë elektrike, autoritetet thanë se kishin rrëzuar mbi 20 raketa.
Qytetarët u këshilluan të qëndronin në vendstrehime, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore po operonin. Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj rrjeteve elektrike dhe hidrike javët e fundit dhe duke lënë pa energji dhe ujë qytetarët. Liderët e shteteve perëndimore, përfshirë presidentin francez Emanuel Macron, i kanë cilësuar sulmet në infrastrukturë si krim lufte. (A2 Televizion)