Shifrat e Covid-19, më pak raste dhe vdekje. Bie numri i të shtruarve në spitale

Nga A2 CNN
3 Maj 2021, 19:39 | Aktualitet
Shifrat e Covid-19, më pak raste dhe vdekje. Bie numri i të shtruarve

Muaji maj ka nisur me një numër të ulët rastesh të reja të infektimeve me Covid-19. Të shtruarit në spitalet Covid kanë rënë ndjeshëm, duke u dhënë mundësinë autoriteteve shëndetësore të mbyllin spitalin Covid 4 dhe Covid 3.

Në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe atë Infektiv, po marrin shërbim rreth 130 pacientë. Këto janë shifrat më të ulta të pandemisë, të cilat i kanë dhënë frymëmarrje edhe sistemit shëndetësor. Kurba e infektimeve nuk është më në rritje si në muajt e mëparshëm. Për të paktën dy javë, rastet kanë rënë nën 200, ndonëse testimet kanë qenë të larta.

Nga ana tjetër, kemi edhe rënie të numrit të humbjeve të jetëve. Muaji shkurt ishte muaji me shifrat me të errëta sa i përket vdekjeve nga Covid-19. Gjatë këtij muaji u regjistruan të paktën 423 persona që humbën betejën me pandeminë, ndërsa në total kemi rreth 2400 humbje jetësh.

Me nisjen e vaksinimit ka edhe një sinjal pozitiv të tkurrjes së pandemisë. Përgjatë muajit Prill arritën të vaksinohen moshat nga 60 deri në 75 vjeç. Furnizimi me vaksinën Coronavac uli moshën e qytetarëve që kërkonin të merrnin dozat e nevojshme për të fituar imunitet. Sot kemi 500 mijë shqiptarë të vaksinuar. Një shifër e konsiderueshme që së pari mundëson frenimin e përhapjes së pandemisë dhe së dyti pritet t’i ofrojë vendit një sezon turistik më të sigurtë, ndryshe nga një vit më parë, kur prisnim ndërrimin e valëve të Covid-19.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos