Shkarkimi i Bolton, Trump: Bëri gabime, ofendoi Kim Jong Un

Nga A2 CNN
12 Shtator 2019, 13:20 | Bota
Shkarkimi i Bolton, Trump: Bëri gabime, ofendoi Kim Jong Un

Donald Trump i rikthehet çështjes së shkarkimit të Këshilltarit të Sigurisë, John Bolton. “Bëri disa gabime të mëdha”, tha Kreu i Shtëpisë së Bardhë për gazetarët. Sipas tij, Bolton kishte ofenduar liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un duke kërkuar ndjekjen e një modeli libian dhe dorëzimin e të gjitha armëvë bërthamore.

“Kam shkuar shumë mirë me John. Por ai bëri disa gabime të mëdha kur foli për modelin libian me Kim Jong Un. Nuk ishte gjëja e duhur për t’u thënë nëse konsideron se çfarë i ndodhi Geddafit. Ai ishte njeri i fortë. Na çoi në Irak, por nuk shkonte mirë me pjesëtarët e administratës dhe kjo për mua është e rëndësishme”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump tha se të interesuarit për të marrë vendin e Bolton ishin të shumtë, dhe se 5 prej tyre i konsideronte të kualifikuar për postin.

Çmimi i naftës ra me 2.2 për qind vetëm pak minuta pas përhapjes së lajmit se Këshilltari i Sigurisë ishte larguar nga detyra. Në pak çaste, thotë CNN, perspektiva e një lufte katastrofike në Lindjen e Mesme u duk të sfumohej në mënyrë dramatike. Bolton shquhej si njeri që i donte luftërat dhe së fundmi kërkonte një konflikt me Iranin. “Për ta ndalur Iranin, bombardojeni atë”, shkruante në një editorial të “New York Times” në 2015-n.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos