
Luan Daci nuk do të jetë më gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Shkallën e Dytë të procesit të vetingut. Ndryshe nga seanca të tjera në KPA ku e ka shqiptuar vetë nën togën e gjyqtarit, apo e ka dëgjuar për të tjerë, këtë të enjte fraza “shkarkimin nga detyra” u tha për emrin e tij.
Vendimi i shkarkimit u shpall nga tre kolegë të Dacit. Ata ishin anëtarë të një Komisioni që shqyrtoi procedimin disiplinor të nisur kundër tij me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitoroimit. Hetimi disiplinor nisi pas deklarimit fajtor të Dacit me një vendim gjyqësor të formës së prerë për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.
Pas shpalljes së vendimi Daci i tërhoqi vëmendjen ish-kolegëve. I kontaktuar nga A2 CNN, Daci tha se ishte dënuar pa ligj dhe se ishte shkarkuar pa ligj. “Do të vijoj betejën ligjore”, tha ai, “duke kundërshtuar shkarkimin në Gjykatën Administrative, si edhe në Gjykatën e Strasburgut”. Luan Daci ishte pezulluar nga detyra prej korrikut të vitit të kaluar kur u mor i pandehur nga SPAK.
Në dhjetor 2020 ai u dënua me 6 muaj burg nga Gjykata e Posaçme, dënim që u konvertua në 12 muaj Shërbim Prove për falsifikimin e kërkesës mes të cilës aplikoi për të qenë pjesë e KPA në vitin 2017. Sipas SPAK, Daci nuk kishte deklaruar masën disiplinore “largim nga detyra” nga KLD si gjyqtar në vitin 1997. Fajësia e tij u la në fuqi edhe nga Shkalla e Dytë e Gjykatës së Posaçme dhe Gjykata e Lartë në tetor 2021. (A2 Televizion)