Qyteti i Shkodrës rrethohet nga zjarret, mesditën e sotme janë shfaqur disa vatra zjarresh në fshatrat afër qytetit duke bërë që tymi të mbulojë edhe një pjesë të qytetit ndërkohë që flakët e zjarrit në fshatin Berdicë kanë hyrë edhe në shtëpitë e banimit.
Ndërkohë, ka patur debate rreth përgjigjes së autoriteteve mes prefektes Majlinda Angoni dhe kryebashkiakut Bardh Spahia. Dy autoritetet, dikur kandidatë për kreun e Bashkisë, debatuan për mungesën e mjeteve të mjaftueshme nga pushteti qendror, duke filluar nga prania e helikopterëve, sipas Spahisë, ndërkohë që Angoni u përgjigj për një tentativë për të politizuar situatën.

Sipas prefektes, “Jemi në një situatë kritike. Kemi 60 forca të ushtrisë në terren. Shumë e vështirë ndërhyrja në Vilëz për shkak të terrenit. Prioritet është jeta e njerëzve dhe e banesave të tyre. Duhet koordinim më i mirë i Bashkisë Shkodër, sidomos në Vilëz. Flitet për situata të menaxhueshme, nuk është koha për helikopterë. Duhet të bëjmë denoncime për çdo rast të dyshimtë, duhet solidaritet në këtë situatë”.
Sipas kryebashkiakut Spahia, “jemi përballur me një situatë të vështirë me disa vatra zjarri në kohë të njëjtë. Falë punës së zjarrfikësve janë dominuar këto situata. Nevojiten mjete nga ajri aty ku është e pamundur ndërhyrja. Do duhej qeveria të ishte më prezentë”. (A2 Televizion)