
Numri i të vdekurve po përkeqësohet pas përplasjeve që ndodhën dje gjatë sulmit në Kongresin Amerikan nga mbështetësit e Donald Trump. Përveç gruas së vrarë nga të shtënat me armë nga një agjent i Kapitol, tre persona të tjerë vdiqën nga urgjencat dhe ndërlikimet mjekësore, duke e çuar në 4 numrin e viktimave në SHBA.
Sipas shefit të Policisë së Uashingtonit të cituar nga CNN, vdekjet ndodhën për shkak të urgjencave dhe komplikimeve mjekësore gjatë protestave në Kapitol.
Tri vdekjet i shtohen gruas së vrarë nga të shtënat me armë në Kapitol.
“Një grua dhe dy meshkuj duket se kanë pasur nevojë për kujdes të veçantë mjekësor, por më pas gjetën vdekjen. Çdo humbje e jetës në Qark është tragjike dhe mendimet tona janë me këdo që preket nga humbja e tyre", tha ai.
13 persona u plagosën dhe 52 persona u arrestuan, shumë prej tyre për shkelje të shtetrrethimit. Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Uashingtonit ka zgjatur urgjencën publike për 15 ditë të tjera, deri më 21 janar, një ditë pas inaugurimit të Joe Biden si president, një takim për të cilin frikësohen se mund të ketë tensione të reja të forta. Kongresi rinisi sërish punën dhe tani po shqyrton dhe numëron certifikimin e votimit të zonës elektorale, nga shteti në shtet. (A2 Televizion)