Mbyllet protesta e mbështetësve të presidentit Donald Trump në godinën e Kongresit amerikan ku po mbahej seanca për certifikimin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Mbështetësit e Trump hynë me dhunë në godinën e Kongresit dhe qëndruan aty për disa orë. Si pasojë e përplasjeve me policinë u regjistruan të lënduar në radhët e efektivëve dhe protestuesve. Mediat raportuan dhe për të lënduar me armë zjarri, por pa dhënë detaje të mëtejshme. Presidenti i zgjedhur, Joe Biden i konsideroi këto ngjarje një sulm ndaj demokracisë, ndërsa Donald Trump doli shumë vonë pasi incidentet kishin nisur dhe iu kërkoi mbështetësve të tërhiqen në paqe në shtëpi. Protesta të ngjashme raportohen të jenë mbajtur dhe në shtete të tjera të Amerikës.
22:52-Shefi i Policisë së Uashingtonit: Është vendosur gjendja e shtetrrethimit, zgjat deri në 06:00 të mëngjesit.
22:47-Presidenti i PE, Sassoli: Shumë i shqetësuar për skenat në Kapitol. Votat demokratike duhet të respektohen. Jemi të sigurt se SHBA do të sigurojë që rregullat e demokracisë do të mbrohen.
22:40-Senati i kalon demokratëve pas 7 vitesh. Jon Ossof fiton balotazhin në Georgia sipas projeksioneve të NBC.
22:31-Nis tërheqja e protestuesve nga godina e Kongresit, mediat raportojnë se është hedhur dhe gaz lotsjellës.
22:24-Protestat në Kongres, reagon Trump: Këto ishin zgjedhje e manipuluar, por duhet të kemi paqe. Kështu që shkoni në shtëpi në paqe. E di se si ndiheni.
22:19-Reagon Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Stoltenberg: Skena shokuese, të respektohet rezultati i zgjedhjeve.
22:15-Sipas NBC, një objekt shpërthyes, artizanal është gjetur pranë selisë së Kongresit.
22:11-Presidenti i zgjedhur Joe Biden në konferencë për shtyp: “Demokracia jonë është nën sulm. Një sulm ndaj të zgjedhurve të vendit. Një sulm ndaj forcave të rendit. Më lejoni të jem i qartë skenat e sulmit nuk përfaqësojnë Amerikën e vërtetë. Shohim një numër të vogël ekstremistësh. Kjo është anarki është kaos. I kërkoj kësaj turme që të tërhiqet në mënyrë që demokracia të ecë përpara. I kërkoj presidentit Trump që të dalë në televizion që të mbajë betimin e tij ndaj Kushtetutës dhe të kërkojë që kjo kapje e Kapitolit të përfundojë. Është kërcënuar siguria e zyrtarëve. Jam i shokuar që kombi ynë që ishte një fanar ndriçues i demokracisë në botë ka mbërritur deri këtu”.
22:05-Sekretarja për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë: Roja Kombëtare është thërritur me kërkesë të presidentit Trump.
22:00-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi thirrje presidentit Trump t’iu kërkojë mbështetësve të tërhiqen.
21:55-Dhunë në Kapitol, aktivizohet Garda Kombëtare.
21:49-Burime për CNN raportojnë se shumë oficerë policie kanë marrë lëndime gjatë përplasjeve me protestuesit.
21:45-Zv/presidenti Mike Pence iu kërkon protestuesve të largohen nga ndërtesa e Kapitolit.
21:42-Protestuesit thyejnë dritaret e dhomës së Senatit. Forcat e policisë iu tregojnë armët.
21:37-Tjetër mesazh i presidentit Trump në Twitter: Ruani qetësinë. Ne jemi partia e ligjit dhe rregullave. Respektoni uniformat blu.
21:32-Senatori republikan, Ted Cruz: Ata që kanë hyrë në Kapitol duhet t’i japin fund. Kushtetuta e mbron protestën, por dhuna është gjithnjë e gabuar.
21:28-Prokurori i Përgjithshëm i Washington DC, thirrje Trump t’iu kërkojë mbështetësve të tij të largohen dhe të heqin dorë nga dhuna.
21:24-Një grua ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi është qëlluar me armë në gjoks në Kapitol. Nuk dihen rrethanat.

21:22-Presidenti Trump sulmon Mike Pence në Twitter: Nuk kishte kurajo të bënte atë që duhej për të mbrojtur vendin dhe Kushtetutën.
21:18-Mediat raportojnë se pjesa më e madhe e anëtarëve të dy dhomave të Kongresit janë evakuuar.
21:16-Të dyja dhomat e Kongresit amerikan kanë ndërprerë seancat ndërsa debatonin për rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit. Kongresmeni republikan McCarthy raporton të shtëna brenda godinës.
21:13-Përleshje mes policisë dhe protestuesve
21:11-Shtëpia e Bardhë është tashmë në një nivel të lartë sigurie. Oficerë të armatosur janë duke patrulluar. Presidenti Trump nuk është aktualisht në Zyrën Ovale.
21:06-Presidenti Trump reagon përmes një statusi në Twitter ku iu bën thirrje protestuesve të mbështesin forcat e policisë.
*********
Është tensionuar së tepërmi situata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fillim të seancës së Kongresit ku do të certifikohej dhe zyrtarisht fitorja e presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Mbështetës të Presidentit Donald Trump janë mbledhur përpara Kongresit për të protestuar sipas tyre kundër zgjedhjeve të vjedhura presidenciale.
Policia ndërhyri menjëherë madje raportohen dhe përplasje mes tyre dhe protestues. Shumë të pranishëm në këtë manifestim thyen gardhin dhe arritën të hyjnë brenda ambienteve të Kongresit.
I ashpër ishte dhe reagimi i presidentit Trump pas këtyre zhvillimeve. “Nuk do të dorëzohemi asnjëherë, do ta ndalojmë këtë vjedhje votash”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Zhvillim tjetër i rëndësishëm ishte dhe reagimi i zv/presidentit Mike Pence, i cili refuzoi thirrjen e mentorit të tij për të ndryshuar rezultatin elektoral në Kongres.
“Presidenca iu përket amerikanëve. Nuk mendoj se baballarët e kombit do të donin t’i atribuonin zv/presidentit autoritetin unilateral për të vendosur se cilat vota duhet të numërohen dhe cilat jo”, shkruan Pence.
Situata është ende e tensionuar dhe kongresmenët kanë ndërprerë seancën për çertifikimin e votës elektorale të zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Trump supporters try to break through a police barrier, Wednesday, Jan. 6, 2021, at the Capitol in Washington. As Congress prepares to affirm President-elect Joe Biden's victory, thousands of people have gathered to show their support for President Donald Trump and his claims of election fraud. (AP Photo/John Minchillo) Protesters gather outside the U.S. Capitol, Wednesday, Jan 6, 2021. (AP Photo/Andrew Harnik) Supporters of US President Donald Trump take over stands set up for the presidential inauguration as they protest at the US Capitol in Washington, DC, January 6, 2021. - Thousands of Trump supporters, fueled by his spurious claims of voter fraud, are flooding the nation's capital protesting the expected certification of Joe Biden's White House victory by the US Congress. (Photo by SAUL LOEB / AFP) (Photo by SAUL LOEB/AFP via Getty Images)
(A2 Televizion)