
Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen në ngarkim të ish-drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi, dhe të 3 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. 4 të akuzuarit kanë kërkuar që të gjykohen me gjykim të shkurtuar.
Abuzimi me një tender të vitit 2018 në Radio Televizionin Shqiptar është strumbullari i arrestimit nga SPAK të ish-titullarit të institucionit, Thoma Gëllçi dhe tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj.
Të arrestuarit dyshohen se kanë shkelur ligjin, kur në garën me dy kompanive kanë skualifikuar njërën dhe kanë shpallur fituese tjetrën, në një kohë që sipas dokumentacionit, asnjëra prej tyre nuk duhet të kualifikohej.
Sipas të dhënave nga SPAK, ish-drejtori Thoma Gëllçi dyshohet se ka nisur procedurën e tenderit për blerjen e pajisjeve për kanalin e ri “RTSH AGRO” në një kohë që as bordi dhe as AMA nuk e kishin miratuar këtë kanal.
Tenderi me fond limit gati 87 milionë lekë për blerjen e kamerave dhe pajisjeve teknike është zhvilluar në tetor-nëntor 2018. Pajisjet janë blerë dhe përdorur nga kanalet e tjera, ndërsa sinjali i kanalit “Agro” është shfaqur në paketën e RTSH 3 vjet më vonë, në prill 2021. (A2 Televizion)