
Një tjetër ngjarje e rëndë kriminale është shmangur në Tiranë, ndërsa në pranga ka rënë një 31-vjeçar. Bëhet fjalë për shtetasin Iljaz Meçani, i cili ushtroi dhunë fizike dhe kërcënoi me armë zjarri tip kallashnikov të vëllanë dhe dajën.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Safe”, sekuestrohen 2 armë zjarri dhe municion luftarak. Ushtroi dhunë fizike dhe kanosi me armë zjarri vëllanë e tij dhe dajën, arrestohet në flagrancë 31-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas njoftimit për një shtetas që mbante armë zjarri në banesë dhe kanoste familjarët e tij, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Safe”, për të parandaluar ngjarjen e mundshme kriminale.
Falë ndërhyrjes në kohë, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Iljaz Meçani, 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj vëllait të tij dhe dajës së tyre, si dhe i ka kanosur ata me armë zjarri, për motive të dobëta.
Gjatë kontrollit në ambientet e banesës së shtetasit I. M. janë gjetur të fshehura 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri automatik, 2 krehra dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, njoftoi Policia e Tiranës. (A2 Televizion)