UEFA ka publikuar ndarjen e vazove për shortin e raundit të parë eliminator në Europa League, ku bie në sy lënia jashtë e Skënderbeut dhe zëvendësimi i këtij ekipi me Laçin.
Nga Kategoria Superiore marrin pjesë në edicionin e sivjetëm të Europa League Kukësi, i renditur i dyti në kampionat, Teuta e vendit të tretë, si dhe Skënderbeu i vendit të katërt, duke qenë se Kukësi kishte fituar edhe Kupën. Por, vendi i Skënderbeut i kalon Laçit sipas asaj që ka publikuar UEFA në faqen zyrtare.
Gjithsesi, në shpjegimin e procedurave që do të ndiqen në hedhjen e shortit, UEFA bën edhe një lajmërim: “Rezultatet e shortit janë të përkohshme dhe janë subjekt i përfundimeve të hetimeve që vazhdojmë dhe/apo procedurave ligjore, si dhe konfirmimit përfundimtar nga UEFA”.
Kështu, edhe pse Skënderbeu nuk përmendet në mënyrë direkte, korçarët do të jenë pjesë e shortit nëse në KAS fitojnë gjyqin me UEFA-n dhe i hiqet pezullimi 10-vjeçar. (A2 Televizion)



