Shpenzimet elektorale të pushtetit vendor - 31 Minuta

Nga A2 CNN
13 Shkurt 2023, 21:16 | 31 Minuta

Inaugurimi i një rruge, një shkolle, apo i një qendre shëndetësore janë zhvillime me rëndësi për komunitetet. Por kur bëhen qëllimisht në kohë fushate, konsiderohen shkelje dhe përdorim i prokurimeve publike, si dhe aseteve shtetërore për qëllime elektorale. Vitet e fundit, bie në sy një rritje e tenderave të mëdhenj, mbi 100 milionë lekë nga pushteti lokal, sidomos në vitet zgjedhore, qofshin ato zgjedhje lokale apo parlamentare. Në këtë segment të 31 Minuta, do të analizohen prokurimet publike dhe sesi ato përdoren për fushata elektorale të subjekteve politike.

Nëpërmjet një kërkimi në databazën e hapur, Open Procurements - Prokurime Transparente, mund të analizohen tenderat mbi 100 milionë lekë, për të parë sesi ky vëllim investimesh ka ndryshuar në vitet zgjedhore krahasuar me vitet pa zgjedhje.

Sipas gjetjeve, prej 1 shtatorit të 2019 deri më 12 janar të 2020-s janë dhënë 11 tendera të cilat janë me një vlerë totale prej 2.9 miliardë lekë (mbi 25 milionë euro, sipas kursit të këmbimit të 24 janarit 2023).

Për të njëjtën periudhë, por një vit më vonë, që përkon me vitin e zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2021, vlera e prokuruar me tendera mbi 100 milionë lekë nga qeverisja vendore ka qenë 19.5 miliardë lekë (apo 168.8 milionë euro me kursin e këmbimit të datës 24 janar 2023), vlerë kjo e dhënë për 59 tendera të shpallur fitues.

Nga ana tjetër, prej shtatorit të 2021 deri në 12 janar të 2022, janë prokuruar nga njësitë e qeverisjes vendore 14 tendera mbi 100 milionë lekë, me një vlerë totale prej 5 miliardë lekësh (apo rreth 43 milionë euro me kursin e këmbimit, më 24 janar 2023).

Kjo shifër, rritet kur bëhet fjalë për tenderimet e së njëjtës periudhë të një viti më pas, ku deri më 12 janar, janë firmosur kontrata për 29 tendera fitues, me një vlerë prej rreth 7.6 miliardë lekësh (mbi 65 milionë euro), ndërkohë që janë shpallur në total 53 tendera.

Ajo që bie në sy, është fakti që shifra e tenderuar është më e madhe në vitet zgjedhore. Ku në 2021, vit në të cilin janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, vlera e tenderuar është disa herë më e lartë se ajo e një viti me parë, dhe po ashtu e njëjta prirje shfaqet edhe prej shtatorit të 2022 deri më 12 janar 2023, ditë pas së cilës të gjitha institucionet shtetërore kanë detyrimin të raportojnë në KQZ për aktivitetet e tyre.

Arianita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, një organizatë e cila monitoron edhe shpenzimin e parave publike nëpërmjet prokurimeve thotë se ky injektim i madh parash, ka një risk të lartë për një vend si Shqipëria.

Paraja e injektuar gjatë fushatave ka një risk të lartë, sidomos në kontekstin e Shqipërisë, ku krimet elektorale ose intimidimi i zgjedhësve nuk është një proces që ka marrë hetimin ose ndëshkimin e duhur ose të merituar.

Ne kemi vënë re që në vitet ose në periudhat që i paraprinë zgjedhjeve, kemi më shumë fonde të alokuara, më shumë fonde të shpërndara nëpërmjet kontraktimeve publike dhe më shumë procedura të bëra pa garë, procedura të cilat vijnë në formën e negocimeve, apo procedura të cilat vijnë në formën e procedurës së limituar, ku nuk ka garë të hapur, por ka një procedurë më të thjeshtuar ku palët e braktisin sistemin elektronik dhe shkojnë ulen në tryezën e kontraktorit dhe aty vendosin kush do të fitojë dhe çfarë do të fitojë. Pra një pazar, pasi tryeza përballë sistemit elektronik është një pazar.

Arianita Brahaj - Drejtuese e Open Data Albania

Prirjen e përgjithshme të rritjes së shpenzimeve publike gjatë periudhave zgjedhore e pohon edhe studiuesi Drini Imami, bashkautor i disa punimeve shkencore mbi ekonominë dhe zgjedhjet. Në njërin prej këtyre studimeve, theksohet se krerët e pushtetit vendor kanë më shumë gjasa të kenë qasje në grante nga pushtetit qendror, nëse të dyja palët i përkasin të njëjtës parti apo koalicioni qeverisës, përdorin kanale informale/personale komunikimi dhe kanë qasje lobuese apo korruptive në vendimmarrës të nivelit të lartë.

Punimi i vitit 2020, i botuar nga shtëpia botuese shkencore e Universitetit të Kalifornisë, titullohet “Aksesi i Pushtetit Lokal në Fonde – Varet se kush janë partia dhe shokët e tu”.

 

Në fakt, në studimet që kemi bërë, dua ta theksoj që kemi parë periudha të gjata kohore ku përfshihen disa zgjedhje, qofshin këto qendrore, por edhe lokale, ku ka rritje të shpenzimeve qeveritare në përgjithësi. Kemi parë edhe zëra të caktuar si janë investimet dhe kemi vërejtur që ka edhe një ulje nga taksat.

Ndërkohë, nga ajo që kemi vënë re është se në grantet që u ofrohen njësive lokale, bashkive, ka një rritje të financimeve para zgjedhjeve, dhe kemi vënë re që ka një rritje më të madhe në ato bashki që qeverisen nga kryebashkiakë, drejtues që janë më afër politikisht me qeverinë qendrore.

Një nga shqetësimet më të mëdha është borxhi publik, që është rritur në nivele shumë të ndjeshme dhe studimet që janë bërë tregojnë këto rritje vijnë edhe për shkak të zgjedhjeve. Pra në periudha zgjedhore, ku nga njëra anë kemi rritje të financimeve e nga ana tjetër ulje të të ardhurave, sjellin një rritje të borxhit.

Drini Imami - Studiues

 

Ajo që pamë gjatë muajve të fundit, është që përpara se të fillonte kjo periudhë zgjedhore, shumë nga bashkitë filluan të tenderonin kontrata me afat shumëvjeçar. Pra të marrim rastin kur kryetari i bashkisë nuk do të jetë më kryetar pas zgjedhjeve, por ai ka bërë furnizimin për pastrim, apo shërbime të tjera si furnizime të ndryshme që varen nga buxheti lokal. Po ashtu, pamë gjatë ndryshimeve buxhetore që u bënë në dhjetor, pati indicie të qeverisë shqiptare të cilat shkonin në favor të bashkive, kështu për shembull, ishte fondi që ka të bëjë me aspekte që kanë shlyerjen e detyrimeve të vjetra dhe të mbartura, por pa bërë një transparencë se cilat bashki do të jenë ato që do të përfitojnë nga ky lloj buxhetimi i zgjeruar. Po njësoj u ribuxhetua edhe fondi i investimeve, por jo investime në zërin e mirëfilltë investime, por kjo qe lidhje me programin e rindërtimit për tërmetin të cilat u caktuan në dhjetor një fond për buxhetin e vitit të shkuar i cili alokohet më një shpejtë dhe impakt që është shumë konkret me periudhën zgjedhore.

Arianita Brahaj - Drejtuese e Open Data Albania

 

Rritja e financimit para zgjedhjeve nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por ndodh edhe në vende të zhvilluara, është një dukuri e njohur. Sigurisht që problematike janë përmasat, dhe në një vend në tranzicion ose në vende në zhvillim ku mekanizmi institucional për të frenuar ose për të monitoruar veprimet e qeverisë janë më të kufizuara, vërejmë përmasa më të mëdha. Dhe shqetësimi tjetër është klientelizmi dhe korrupsioni. Në vende me korrupsion kaq të lartë siç është Shqipëria, dihet përmes treguesve të ndryshëm si është indeksi i perceptimit të korrupsionit, jemi ndër vendet më të korruptuara në Europë. Kjo rritje e financimeve parazgjedhore mund të lidhet edhe mund të motivohet edhe me një rritje të korrupsionit dhe klientelizmit që ndodh gjatë zgjedhjeve.

Drini Imami - Studiues

 

Sa më shumë para të shpërndajnë autoritetet publike, aq më shumë rritet pëlqyeshmëria e grupeve të caktuara. Tjetra është që në të gjithë këta kontraktorët ne shohim dhe perceptojmë se kanë një numër të punësuarish pas tyre dhe numri i të punësuarve pas tyre shpeshherë bëhet një elektorat i detyruar të votojë ashtu si ka zgjedhur punëdhënësi i cili është indroktinuar nga dikush që drejton një shtab elektoral ose një forcë politike. Të mos harrojmë që disa nga kryetarët që janë, janë kandidatë potencialë ose janë konfirmuar, dhe ndërkohë vijmë në një moment që forca politike që ka ekzekutivin ka 99% të pushtetit vendor. Pra risku që ekzekutivi t’i ndihmojë me pagesa me buxhete të shtuara, me fonde të cilat do alokohen në fillim të vitit, por që do përdoren gjatë muajve elektoral është tepër i lartë, dhe për fat të keq nuk kemi dhe instrumente të monitorimit.

Arianita Brahaj - Drejtuese e Open Data Albania

Në janar të këtij viti, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, një shoqatë e cila ndër objektivat e punës së saj ka monitorimin e proceseve zgjedhore, bëri një thirrje publike për mosshpërdorimin e burimeve shtetërore dhe sjelljen e paanshme të nëpunësit publik.

Keqpërdorimi i burimeve shtetërore për avantazh elektoral në Shqipëri është një problem i vjetër që ka pasur vazhdimësi në zgjedhjet e fundit të zgjedhjeve 2021 qoftë në raportin e KRIIK, qoftë të OHDIR, qoftë të të tjerëve, është identifikuar si një problem madhor. Pra, përdorimi i ofiqit publik, përdorimi i burimeve shtetërore në përgjithësi, është konsideruar si një problem madhor, akoma më tepër në zgjedhjet aktuale ku ne jemi në një situatë ku mazhoranca aktuale ka shumicën në kuvend, ka ekzekutivin, ka edhe 60 nga 61 bashki. Pra jemi në një situatë ku një parti e vetme zotëron një pjesë të konsiderueshme të pushteteve, çka e bën shumë më të rrezikshëm përdorimin e burimeve shtetërore në këto zgjedhje.

Dritan Taulla - ZV. Kryetar i KRIIK

Ndërkohë në zgjedhjet e kaluara lokale të cilat ishin të pjesshme, ndryshe nga herët e tjera ka pasur një monitorim më të shtuar për shkak të detyrimit të institucioneve shtetërore për të raportuar çdo aktivitet ose event që kryenin 5 ditë para, në mënyrë që KQZ-ja ta ndalonte nëse kishte përfshirje të subjekteve elektorale.

Vetëm diku te 15% e 340 e ca institucioneve që kishin detyrim kanë raportuar evente, të tjerat kanë raportuar zero. Përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, e cila në vitin 2021 ka pasur një aktivitet të madh, pasi ka qenë edhe periudha e pandemisë ka raportuar zero aktivitete. Ne e shohim edhe tani se më shumë se gjysma e aktivitetet është raportuar me vonesë, kemi edhe aktivitetet të paraportuara fare ashtu si kemi parë edhe aktivitetet që përbëjnë risk për përdorim elektoral.

Dritan Taulla - ZV. Kryetar i KRIIK

Rigels Xhemollari është nga Qëndresa Qytetare, një organizatë e shoqërisë civile e cila zgjedhjet e kaluara çoi në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve 20 denoncime për përdorimin e aseteve publike dhe prokurimeve.

Të gjitha investimet, apo të gjitha Prokurimet, apo Tenderimet apo Koncesionet mund të them kishin një lloj timeline, pra kishin një timeline i cili të përkonte me kohën parafushatës ose me kohën e fushatës në mënyrë që në këtë periudhë të bëheshin më të dukshme, të shkonim më të prekshme tek qytetarët dhe sigurisht të ndikonin ata për të votuar në krahun e Partisë Socialiste e cila ishte dhe forca që qeveriste edhe Pushtetin Qendror.

Rigels Xhemollari - Qendresa Qytetare

Legjislacioni ndalon deri në njëfarë pike, por prapë lë hapësira për t’u keqpërdorur dhe ndërkohë një nga mangësitë kryesore që ka legjislacioni është ndalimi për të nxjerrë akte nënligjore të cilat mund të keqperceptohen si për qëllime elektorale si për shembull, bonuse, shtesa pagesash për shtresat në nevojë etj., ky është një ndalim specifik, fatkeqësisht është vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe jo në ato lokalet pasi kështu është ndërtuar neni….

Dritan Taulla - ZV. Kryetar i KRIIK

Ne e dimë shumë mirë që kur vjen fushata fryhet administrate, kur vjen fushata ndahen më shumë ndihma sociale, jepen ndihma kemp dhe ndihma për persona me aftësi të kufizuara dhe ata me ndihmë ekonomike. Ne kemi parë sesi gjatë fushatës ose gjatë periudhës së para fushatës shumë Këshilla Bashkiak të cilët ishin në garë zgjedhore ndanin ndihma për këto familje, rrisnin numrin e të punësuarve dhe administratën e bashkisë dhe sigurisht kjo është një sjellje që i shërben atij momenti, asaj periudhe për të çuar ata drejt kutive të votimit dhe ne dimë shumë mirë që këto kategori janë kategori të cilat të çojnë shumë kollaj tek kutia e votimit dhe pakoja e madhe e cila u promovua në dhjetor, jo qëllimisht la jashtë saj disa kategori si studentët apo të rinjtë të cilën mund të përfitonin dhe shkoi tek administrata dhe personat në ndihmë sociale. Këto janë dy kategori që shteti shumë kollaj i çon në kutinë e votimit dhe paratë shkuan për këto.

Rigels Xhemollari - Qëndresa Qytetare

Ajo që kemi vënë re është se fonde të ndryshme janë alokuar gjithmonë me dëshirën për të ndikuar elektoratin. Edhe pagesat e thesarit janë shumë problematike në këtë periudhë. Në fushatën e fundit zgjedhore në 2021 ne pamë që në muajin prill u rritën përmes pushtetit lokal grandet individuale, pra qeveria kishte një fond, në vend që të bënte kontraktime dhe të investime të karakterit kapital…. vendosi të trajtonte një grup njerëzit të cilët ishin edhe elektorat pikërisht në datat e fushatës zgjedhore me fonde individuale të cilat vinin si dëmshpërblime për dëmtimet e lehta të tërmetit dhe kjo injektoi një shumë të madhe parash në bashkinë e Durrësit, Tiranës.

Arianita Brahaj - Drejtuese e Open Data Albania

Ka pasur shumë precedentë në zgjedhjet e vitit 2021. Precedenti që ne i referohemi është qasja e KAS-it ndaj denoncimeve të qytetarëve apo organizatave. Në momentin që një qytetar ose organizatë bën një denoncim në KQZ për dyshime se mund të jenë duke u përdorur ofiqi publik apo burime shtetërore nga dikush, qasja që ne gjykojmë që KQZ duhet të ketë është të investohet vet të bëjë hetim administrativë nga fillimi në fund, ndërkohë qasja që KAS ka pasur është që organizatat ose individët thirreshin në KAS duke u kërkuar atyre të ofronin prova.

Dritan Taulla - ZV. Kryetar i KRIIK

Qëndresa Qytetare gjatë zgjedhjeve të kaluara çoi rreth 20 çështje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të cilat kaluan pranë komisionerit dhe më pas në KAS. Në këto 20 çështje nëntë prej tyre u rrëzuan, pra nuk morën një përgjigje pozitive. 11 çështje të cilat ne patëm prova dhe patëm goxha informacion, morën ndëshkim, u ndëshkuan kandidatë për Kryetar Bashkie, u ndëshkuan zyrtarë të lartë në nivelin Sekretar të Përgjithshëm të Ministrive, u ndëshkuan drejtorë shkollash, drejtorë qendrash shëndetësore dhe sigurisht specialistë apo dhe drejtorë më të ulët në nivel drejtorie, të cilët përdorën postin e tyre asetet e tyre ose nuk njoftuan në kohë KQZ-në për veprimtari të cilat përbënin aktivitet të ndaluar si mbas ligjit.

Rigels Xhemollari - Qendresa Qytetare

Në një kohë që zgjedhjet lokale janë pranë, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, bëjnë thirrje që të ketë një vëmendje të shtuar të institucioneve të drejtësisë përkundrejt krimeve elektorale.

 

Gazetarë: Denis Tahiri, Ina Allkanjari

Producent: Ervin Qafmolla

Operator:  Endrit Myftari

Operator Droni: Nerion Beqiraj

Montazhier: Arbër Shkreta (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos