Telefonatat sekrete SHBA-Rusi, Moska e tërbuar: Luftë hibride kundër nesh, po minoni paqen

Nga Rosalba Bejdo
26 Nëntor 2025, 22:45 | Bota

Rrjedhja e audios së një bisede telefonike mes të dërguarit të Trump për Ukrainën, Steve Witkoff, dhe këshilltarit të lartë rus Yuri Ushakov, ka ekspozuar një realitet të ndërlikuar të diplomacisë që po bëhet pas kuintave për Ukrainën.

Bloomberg publikoi një transkript të bisedës së zhvilluar më 14 tetor, në të cilën Witkoff këshillon homologun rus se si të negociojnë me Trumpin për planin e paqes. Ai i thotë se Putin duhet të telefonojë shefin e tij Trump për ta përgëzuar mbi marrëveshjen e Gazës dhe ta quajë njeri të paqes, para se Zelensky të vizitonte Shtëpinë e Bardhë, më 17 tetor.

Rusia ka reaguar me zemërim ndaj publikimit të bisedës mes dy zyrtarëve të lartë, duke e cilësuar këtë një përpjekje të papranueshme për të minuar negociatat e paqes dhe luftë hibride kundër Rusisë, shkruan A2.

Këshilltari rus, Ushakov, tha për mediat ruse se telefonata mes tij dhe Witkoff nuk ishte për t’u publikuar dhe se një pjesë e bisedave ishin kryer përmes kanaleve të koduara qeveritare ku rrallë ka interceptime, përveçse në rastin kur njëra palë synon ta bëjë diçka të tillë.

Megjithatë, Ushakov përjashtoi mundësinë që rrjedhja të ketë ardhur nga pjesëmarrës në bisedë.

Sakaq, zv/ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se disa organizata mediatike po përdoreshin si pjesë e një lufte hibride të shteteve europiane kundër Rusisë, me qëllimin e minimit të lidhjeve me Uashingtonin.

Ndërkohë, një tjetër i dërguar i Putinit në bisedimet me Rusinë, Kirill Dmitriev, deklaroi se raportimi i Bloomberg për një telefonatë mes tij dhe Ushakov më 29 tetor ishte i rreme. Në të dyshja dëgjohej teksa fliste për të çuar përmes kanaleve zyrtare në Shtëpinë e Bardhë një “nonpaper”, me një draft të hartuar nga Rusia për fundin e luftës. Non paper-i në fjalë ishte pikërisht ai në të cilin u mbështet më vonë plani me 28 pika i administratës Trump për paqen në Ukrainë.

Lajmin e konfirmon agjencia e lajmeve Reuters që citon 3 burime familjare me çështjen, të thonë se dokumenti me autorësi ruse ju dorëzua Shtëpisë së Bardhë në tetor. Në të përfshihej gjuhë e përdorur edhe më herët nga Moska në tryezën e negociatave, si lëshimet territoriale të cilat Ukraina i kishte refuzuar për një kohë të gjatë.

Ky është i pari konfirmim se dokumenti, ekzistencën e të cilit Reuters e raportoi edhe në tetorit, shërbeu si bazë për planin me 28 pika të Trump. Departamenti amerikan i Shtetit dhe ambasadat ruse e ukrainase në Uashington nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos