Familjet në veri të Nigerisë e kishin ngritur alarmin prej muajsh. Prindërit e nxënësve të shkollës katolike St. Mary, në shtetin Niger, i kishin kërkuar vazhdimisht qeverisë që t’i mbronte fëmijët e tyre nga bandat e armatosura që patrullojnë zonën.
Kërcënimet ishin reale. Sulmet ishin shtuar. Por, askush nuk shkoi. Në mungesë të forcave të sigurisë, komuniteti u detyrua të improvizojë. Burra vullnetarë, të paarmatosur, u vendosën si roje përreth shkollës, duke rrezikuar jetën e tyre. Mbrojtja ishte simbolike dhe të gjithë e dinin këtë. Dhe kur në agimin e 21 nëntorit, dhjetëra persona të armatosur, të hipur mbi motoçikleta, sulmuan godinën, rojet nuk patën asnjë shans. Ata u larguan duke shpëtuar veten, ndërsa banditët rrëmbyen më shumë se 300 nxënës dhe 12 mësues në një nga incidentet më të rënda të këtij lloji, që nga rrëmbimi famëkeq i Chibok-ut në 2014, shkruan A2.
Eksperti Ikemesit Effiong shprehet: “Legjitimiteti i politikanëve nigerianë është aktualisht shumë i ulët, ndaj për shumë prej këtyre komuniteteve qeveria nuk perceptohet as si aktor i ndershëm, as si një institucion që ka resurset, vullnetin politik apo kapacitetin për t’i mbrojtur. Për këtë arsye, shumë prej këtyre zonave detyrohen t’u paguajnë para për “mbrojtje” pikërisht atyre që i sulmojnë, bandave të rrëmbimeve. Kështu që, fatkeqësisht në këtë vend, është një kohë e favorshme për këdo që ka një armë dhe operon në anën informale të realitetit”.
Sulmi tronditi vendin dhe, njëkohësisht, ekspozoi dështimet e thella të strategjisë së sigurisë të Presidentit Bola Tinubu, dështime që tashmë po ndikojnë edhe në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pasi Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me veprim ushtarak për shkak të trajtimit të të krishterëve në Nigeri. Tinubu erdhi në pushtet me premtimin se do ta kthente Nigerinë në binarët e stabilitetit dhe rritjes ekonomike. Nga njëra anë, agjencitë e vlerësimit ndërkombëtar e kanë përshëndetur për reforma fiskale dhe monetare. Por, nga ana tjetër, realiteti në terren është dramatik: sulme pothuajse të përditshme, bandat që lëvizin lirshëm në zona të izoluara, dhe një kryengritje islamike që, ndonëse e zbutur në disa rajone, vazhdon të jetë vdekjeprurëse. Në verilindje, militantët e Boko Haram dhe dega më e sofistikuar e tyre, ISWAP, kanë adaptuar taktika të reja: përdorimin e dronëve, artilerisë së rëndë dhe sulmeve të koordinuara kundër bazave ushtarake. Së fundi, ata kanë pushtuar disa baza, kanë marrë armatime dhe kanë vrarë dhjetëra trupa.
Rrëmbimi i gjeneralit të ushtrisë dhe ekzekutimi i tij vetëm pak ditë më parë, ngriti dyshime serioze për rrjedhje informacioni brenda vetë ushtrisë. Në veriperëndim, situata paraqitet ndryshe, por jo më pak dramatike: banda kriminale, pa motiv politik ose fetar, rrëmbejnë masivisht për shpërblim, fshihen në pyje të dendura dhe operojnë në një territor ku shteti praktikisht nuk ekziston. Sulmi në shtetin Niger ishte i treti brenda katër ditësh. Një tjetër shkollë dhe një kishë u goditën në të njëjtën javë. Kjo shtrirje gjeografike e dhunës tregon se problemi nuk është lokal, ai është kombëtar.
“Dobësia e qeverisë për të menaxhuar sfidat e sigurisë në Nigeri nuk vjen nga mungesa e kuptimit të problemit. Aparati i inteligjencës është mjaft i zhvilluar për të ditur se ku ndodhen shumica e këtyre grupeve, kush janë udhëheqësit e tyre, si operojnë dhe cilat janë objektivat e tyre të mundshme. Problemi është se arkitektura e sigurisë që duhet ta shndërrojë këtë inteligjencë në operacione konkrete nuk është ende e ndërtuar plotësisht. Si rezultat, krijohen situata shumë të pafat, ku për shembull Forcat Ajrore, pa dashje, godasin trupa tokësore të ushtrisë apo civilë të pafajshëm, vetëm sepse inteligjenca nuk përdoret siç duhet”, shpjegon Effiong.
Në përpjekje për të reaguar, Tinubu anuloi dy vizita jashtë vendit dhe urdhëroi mobilizime urgjente të forcave të sigurisë. Por, statistikat flasin vetë: mbi 100 000 policë nigerianë, më shumë se një e katërta e forcës kombëtare, janë të dedikuar për mbrojtjen e VIP-ave: politikanë, biznesmenë, njerëz të pasur, artistë. Ndërkohë, në fshatrat e varfra, qytetarët mbrohen nga roje vullnetare. Shpjegimi është i thjeshtë: një polic i thjeshtë fiton 80,000 naira (rreth 55 dollarë) në muaj. Puna e rojës për VIP-at sjell dhurata, shpërblime ushqimi dhe është shumë më pak e rrezikshme. Në këto kushte, prioritetet e policisë janë deformuar. Ushtria nuk është më mirë. Pagat janë të ulëta, stërvitja e kufizuar, lodhja ekstreme, rotacioni i rrallë dhe pagesat shtesë shpesh vonohen. Analistët thonë se në këto kushte, motivimi është minimal, ndërsa bandat janë të mirëorganizuara, njohin terrenin dhe kanë mbështetje lokale ose rrjete të fshehta informatorësh.
Në shtetin Kebbi, 25 vajza të një shkolle konvikti u rrëmbyen vetëm një orë pasi ushtarët e dislokuar për t’i mbrojtur u larguan, megjithëse autoritetet kishin informacione për një sulm të mundshëm. Guvernatori kërkoi publikisht hetim për të zbuluar se kush i urdhëroi trupat të largohen? Përse? Kjo i shtohet listës së gjatë të pikëpyetjeve për rrjedhje informacioni, korrupsion dhe paaftësi strukturore.
Ikemesit Effiong tha: “Dhuna dhe pasiguria kanë qenë prezente në Nigeri për kaq shumë kohë, dhe pothuajse nuk ka pasur asnjë pasojë reale, as dënime me burg, as ekzekutime, as pasoja ligjore për autorët e këtyre akteve. Kjo i ka bërë shumë prej tyre të ndihen të paprekshëm dhe të guximshëm për t’i vazhduar këto aktivitete. Ajo që kemi parë kohët e fundit është një përshkallëzim i dhunës, duke u ndërtuar mbi pasigurinë që ka zgjatur për më shumë se një dekadë”.
Panorama e sigurisë në Nigeri ndahet në tri zona kryesore. Veriperëndimi dominohet nga banditizmi për shpërblim. Banda të armatosura rrëmbejnë fshatarë, djegin shtëpi, shantazhojnë komunitete dhe zhduken në pyje të dendura. Nuk kanë motiv fetar; kanë vetëm interes ekonomik. Në verilindje, ka kryengritja islamike 15-vjeçare. ISWAP dhe Boko Haram vazhdojnë të sulmojnë fshatra dhe trupa ushtarake. Mbi 2 milionë njerëz janë zhvendosur, dhjetëra mijëra janë vrarë që prej vitit 2009. Ndërkohë, zona qendrore dallohet nga konflikte etnike dhe fetare. Takimi mes fermerëve kryesisht të krishterë dhe barinjve kryesisht myslimanë ka prodhuar dhunë ciklike për akses në tokë dhe ujë.
Por, a është dhuna e drejtuar kundër të krishterëve?
Pretendimi për persekutim të krishterëve është bërë një çështje e nxehtë ndërkombëtare, sidomos pas deklaratave të Trump. Analistët seriozë e shohin situatën më kompleks. Sipas tyre, myslimanët vuajnë po aq sa të krishterët.
Ata thonë se dhuna është e llojit të përzier: etnike, ekonomike, fetare dhe politike dhe nuk ka prova se shteti nigerian po targeton një komunitet të caktuar fetar. Megjithatë, perceptimi ndërkombëtar është tjetër.
“Të dhënat tregojnë se situata është praktikisht një kaos i përgjithshëm, qoftë kristianë, myslimanë apo besimtarë të tjerë. Fakt është se bashkimi i faktorëve ekonomikë, politikë, socialë dhe mjedisorë krijon në shumë komunitete në vend, pjesa më e madhe e të cilëve janë etnikisht dhe fetarisht të përzier, të gjitha kushtet paraprake që dhuna të shpërthejë”, shpjegon Effiong.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit konfirmoi se SHBA po shqyrton sanksione ndaj zyrtarëve nigerianë, presion diplomatik dhe angazhim të Pentagonit për operacione kundër terrorizmit. Në thelb, Uashingtoni po dërgon një mesazh të qartë: Nigeria duhet të mbrojë komunitetet e pambrojtura ose do të përballet me pasoja. Ndërsa qeveria dërgon ministër pas ministri në zonat e sulmuara, realiteti mbetet i pandryshuar: territori është i madh, forcat janë të pakta, logjistika e dobët, korrupsioni i rrënjosur.
Sipas ACLED, këtë vit janë regjistruar, 1923 sulme kundër civilëve, mbi 3000 të vrarë, dhe dhjetëra rrëmbime masive. Tinubu është i përfshirë tashmë në një luftë me kohën. Ai duhet të tregojë se shteti funksionon. Por, terreni i thotë një të vërtetë të hidhur: bandat po forcohen, ndërsa shteti po tërhiqet.
Ndërkohë, familjet e St.Mary, të Kebbit dhe qindra komunitete të tjera në veri të vendit vazhdojnë të presin përgjigje, siguri dhe një sinjal që dikush po i mbron. (A2 Televizion)
