Dy ushtarë të Gardës Kombëtare qëllohen pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump: Kafsha do të paguajë një çmim të lartë

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2025, 22:54 | Bota

Dy ushtarë të Gardës Kombëtare qëllohen pranë

Dy ushtarë të Gardës Kombëtare janë qëlluar me armë pranë Shtëpisë së Bardhë. Të dy ushtarët janë nga Garda Kombëtare e Virxhinias Perëndimore, tha guvernatori i shtetit, Patrick Morrisey, në një postim në Twitter.

Policia e Uashingtonit tha se autori i sulmit është arrestuar por ndodhet në gjendje të rëndë. Sakaq, motivet si dhe identiteti i tij janë të panjohur.

Incidenti ndodhi pranë Sheshit Farragut në qendër të Uashingtonit dhe disa qindra metra larg Shtëpisë së Bardhë. Dëshmitarët okularë flasin për dy të shtëna dhe më pas disa të njëpasnjëshme. Për shkak të të shtënave, Shtëpia e Bardhë u mbyll dhe ata që ishin brenda saj mbetën në vende të sigurta deri në njw njoftim të mëtejshëm.

Në kohën e sulmit, Donald Trump ishte në Florida. Presidenti është informuar për incidentin, konfirmoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt. Pak më vonë, në një postim, Trump premtoi se autori i krimit do të paguajë shtrenjtë.

“Kafsha që qëlloi dy ushtarët e Gardës Kombëtare, të cilët u plagosën rëndë dhe tani ndodhen në dy spitale të ndryshme, është gjithashtu i plagosur rëndë, por sidoqoftë, ai do të paguajë shtrenjtë. Zoti e bekoftë Gardën tonë të Madhe Kombëtare, si dhe të gjitha forcat ushtarake dhe të zbatimit të ligjit. Këta janë njerëz vërtet të shkëlqyer. Unë, si President i Shteteve të Bashkuara, dhe të gjithë ata që lidhen me Presidencën, qëndrojmë me ju!”, shkroi Trump.

“Ju lutem lutuni me mua për dy ushtarët e Gardës Kombëtare që u qëlluan vetëm pak minuta më parë në Uashington D.C. Departamenti i Sigurisë Kombëtare po punon me autoritetet lokale për të mbledhur më shumë informacion", shkroi Sekretarja Christy Noem. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos