
Për mazhorancën është e qartë, Ilir Meta do të rrëzohet në çdo dekret të tijin, përfshirë atë eventual të shpërndarjes së parlamentit. I firmosur në zyrë, në shesh apo dhe në oborrin e parlamentit, për të majtët vota do të jetë kundër.
“Ne jemi Republikë Parlamentare dhe nuk mundet asnjë president që të bëjë këtë gjë me Parlamentin. Parlamenti i Shqipërisë është një vend i hapur për të gjithë, kështu që presidenti dhe kushdo mund të vijë në Parlament, por jo të bëjë marrëzira të këtij lloji se nuk ia lejon kushtetuta. Dekretet e tij që nuk bazohen në kushtetutë apo ligj nuk kanë asnjë vlerë juridike”, deklaroi deputetja socialiste Ermonela Felaj.
Ndërsa Arbnor Shameti tha: “Ka qenë metaforë besoj kjo e presidentit të Republikës dhe nuk ma merr mendja që ta ketë pasur seriozisht.”
Edhe pse dikur bashkëpunëtor i tij Spartak Braho e quan aventurë lëvizjen e Metës. “Kjo është një formë e sindikalizmit anarkist. Mbas datës 15 mars çdo gjë është aventurë”, u shpreh Braho.
Ndërsa disa prej deputetëve të opozitës parlamentare i shkuan në miting, Myslym Murrizi mendon se sheshi i Metës ishte me miell hua.
“Shumica e atyre që ishin në shesh 80-90% ishin demokratë. Nëse e gjënjen mendja se është udhëheqës suprem, Meta ta provojë të mos i bëjë ftesë Partisë Demokratike, ta shikojë se sa njerëz do t’i mblidhen”, tha Murrizi.
Presidenti i ka lënë afat mazhorancës 15 marsin, për të marrë seriozisht thirrjen e tij kundër të ashtuquajturi “grusht shteti”, përndryshe thotë se do të firmosë dekretin për shpërndarjen e Parlamentit . (A2 Televizion)