
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për vazhdimin e mbështetjes evropiane për Ukrainën, duke paralajmëruar se braktisja e Kievit do të përbënte një rrezik serioz për sigurinë e kontinentit.
Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp në Bruksel, në kuadër të samitit të Bashkimit Evropian, ku Macron theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës, veçanërisht në kushtet kur ekziston mundësia e tërheqjes së ndihmës amerikane.
Sipas presidentit francez, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nuk është vetëm një konflikt mes dy vendeve, por prek drejtpërdrejt sigurinë dhe interesat strategjike të gjithë Evropës.
“Ndihma e Bashkimit Evropian është thelbësore, veçanërisht duke pasur parasysh mundësinë e një tërheqjeje të SHBA-së.
Kjo është një luftë që na prek drejtpërdrejt. Ukrainasit po luftojnë për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tyre, por ata janë gjithashtu në vijën e parë të mbrojtjes së sigurisë evropiane”, u shpreh Macron.
Ai shtoi se braktisja e Ukrainës do të kishte pasoja të rënda për Evropën në afat të shkurtër dhe të mesëm.
“Po, kjo luftë është ekzistenciale për sigurinë evropiane. Braktisja e Ukrainës do të rrezikonte sigurinë tonë në afat të shkurtër dhe të mesëm.
Nuk ka vend për naivitet. Ne po e ndihmojmë Ukrainën nga ndjenja e përgjegjësisë dhe sepse kjo është në interesin tonë”, deklaroi presidenti francez. (A2 Televizion)