
Avionët e ushtrisë izraelite bombarduan mëngjesin e së mërkurës disa baza ushtarake siriane dhe iraniane brenda kufirit të Sirisë, si kundërpërgjigje të sulmeve me raketa nga ky territor, në dy ditët e fundit.
Mediat siriane raportojnë se 2 civilë kanë humbur jetën nga këto bombardime të ushtrisë izraelite, por theksojnë se një pjesë e këtyre raketave u asgjësuan nga sistemi mbrojtës i vendit.
Edhe ushtria izraelite raporton se sistemi i saj mbrojtës asgjësoi 4 raketa të lëshuara nga Siria drejt qyteteve kufitare. Përmes një deklarate të shkurtër për shtyp, kryeministri Netanjahu përsëriti qëndrimin se “Izraeli do t’i kundërpërgjigjet çdo sulmi.”
Për këtë sulm të ushtrisë izraelite në Siri reagoi dhe Rusia, e cila e cilësoi si një lëvizje të gabuar nga ana e shtetit hebraik. (A2 Televizion)