
Policia ka dhënë detaje mbi shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në një karburant, në aksin rrugor Lezhë-Milot, ku mbetën të plagosur 7 persona.
Sipas policisë, nga shpërthimi që ndodhi në orën 22:10 në kryqëzimin e Shënkollit, janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz. Bëhet fjalë për shtetasit B.B., 36 vjeç, A.B., 33 vjeç, D.B., 33 vjeç, dy vajza të mitura (5 dhe 2 vjeç). Si dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P. vjeç 40 dhe P.L. vjeç 31.
Shtetasit N.P. dhe B.B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën.
“Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit. Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje. Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj”, lexohet në njoftimin e policisë. (A2 Televizion)