Shqipëria me 4 aeroporte? Ekspertët analizojnë rreziqet e projekteve të reja

Nga A2 CNN
19 Tetor 2020, 10:35 | Aktualitet
Shqipëria me 4 aeroporte? Ekspertët analizojnë rreziqet e

Ekspertët e aviacionit civil janë të mendimit se qeveria nuk duhet të nxitohet në planet për hapjen e aeroporteve të reja në vend, për shkak të rreziqeve për të mos thithur mjaftueshëm linja ajrore apo pasagjerë.

Për ekspertin Dritan Goxhaj, puna për aeroportin e Vlorës, nuk mund të nisë pa mësuar efektet që do të ketë ai i Kukësit, që ndodhet edhe më pranë Europës.

“Qeveria në radhë të parë duhet të shohë si funksionon aeroporti i Kukësit, duke qenë se kemi një investim të pakët prej 8 milionë eurosh dhe duke parë se studimi i fizibilitetit i sheh të dyja me nga 300 mijë pasagjerë”, u shpreh Dritan Goxhaj.

https://a2news.com/2020/10/19/premtimet-per-aeroporte-xhepa-te-nisen-nga-perfitueshmeria-ekonomike/

Ndërsa, për ish-drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil, Ervin Minarollin, në momentin e keq që po kalon industria ajrore për shkak të pandemisë, këto projekte nuk janë më të leverdishme.

“Unë e shoh si me shumë rrezik, dy aeroporte të mëdha pranë njëri-tjetrit. Megjithatë, kjo është histori e mbyllur me gjithë këto që ndodhën gjatë periudhës së pandemisë. Interesi ekonomik ka rënë dukshëm. Aeroportet e tjera që janë sot në operim si ai i Tiranës kanë rreth 60% ulje në numrin e pasagjerëve. Realizimin e strukturave të tjera e shoh pothuajse si të pamundur”, u shpreh Minarolli.

Për ekspertin e aviacionit, Dritan Goxhaj, ekziston rreziku për një kohë të gjatë punimesh, për aeroportin e Vlorës. Ndërsa për Minarollin, problematike është edhe mënyra se si janë hartuar koncesionet për këto dy aeroporte të reja.

https://a2news.com/2020/10/19/premtimet-per-aeroportet-kukesi-ende-i-paperfunduar-vlora-dhe-saranda-ne-leter/

Sipas ekspertëve, leverdia e dy projekteve është e lidhur ngushtë me interesat e linjave ajrore që do të mund të afrohen vetëm nëse tarifat do të jenë më të favorshme nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos