
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zbresë sërish në fushë, këtë herë në Elbasan Arena përballë Islandës, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Euro 2020.
Në prag të këtij takimi, i cili do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20:45, policia ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjen, ku do të angazhohen 215 forca policie të Rendit, Qarkullimit, Shqiponjat, FNSH-ja dhe Policia Kriminale.
“Do ketë bllokim të aksit në drejtim të stadiumit duke filluar nga ora 18:00 e datës 10.09.2019, deri në përfundim të aktivitetit sportiv, si dhe do mbyllen lokalet rreth stadiumit.
Të gjithë tifozët do të kontrollohen në hyrje të stadiumit nga forcat e Policisë dhe nuk do të lejohet futja e sendeve të forta, shisheve me tapë, çelësave, monedhave apo metaleve (të çfarëdo lloji).
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan i kërkon qytetarëve që të minimizojnë lëvizjen me automjete në akset që të çojnë drejt stadiumit, çka do të sillte një ndihmesë në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti”, thuhet në njoftimin e policisë. (A2 Televizion)