15 mln euro investim dhe 400 vende pune, “KAYO” do të prodhojë uniforma për ushtrinë

Nga A2 CNN
28 Maj 2025, 21:44 | Aktualitet

15 mln euro investim dhe 400 vende pune, “KAYO” do të

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë një vendim që i hap rrugën shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., për të negociuar me shoqëri private, për krijimin e një shoqërie të përbashkët aksionare, e cila do ta përqendrojë aktivitetin në prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve të tjerë për Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë në vend.

Sipas vendimit, “KAYO” sh.a. do të mbajë të paktën 40% të aksioneve në shoqërinë e re dhe do të kontribuojë me një sipërfaqe prej të paktën 20.000 m² në pasuri të paluajtshme, e cila do të vihet në përdorim nga shoqëria e përbashkët pa të drejtë tjetërsimi.

Pala private, nga ana tjetër, duhet të angazhohet për një investim minimal prej 15 milionë euro brenda një periudhe 3-vjeçare, si dhe të sigurojë punësimin e të paktën 400 punonjësve dhe ofrimin e linjave moderne të prodhimit.

Po ashtu, parashikohet që “KAYO” të ketë të drejtën e emërimit të administratorit me dakordësi, të paktën 30% të anëtarëve të këshillit drejtues ose mbikëqyrës dhe të drejtën e vetos në vendimmarrjet kyçe, në përputhje me ligjin nr. 88/2024.

Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të garantohet nga Forcat e Armatosura, sipas ligjit për autoritetet e komandimit të FA-së.

Në përfundim, shoqëria e re do të autorizohet të furnizojë Forcat e Armatosura me uniforma dhe pajisje përkatëse, duke hapur rrugën për bashkëpunim më të ngushtë mes sektorit publik dhe atij privat në industrinë e mbrojtjes.

VENDIMI:

V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E UNIFORMAVE USHTARAKE DHE AKSESORËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 (njëzet mijë) m², që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
4. Shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, të paktën:
a) një vlerë investimi jo më pak se 15 milionë euro në periudhën kohore të 3 (tre) vjetëve;
b) punësimin e jo më pak se 400 (katërqind) punonjësve në periudhën kohore të 3 (tre) vjetëve;
c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të uniformave dhe aksesorëve të tjerë, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë;
ç) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura, si edhe uniformat e aksesorët për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se të paktën 30 % e përbërjes së këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore, të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private me të cilën do të bashkëpunojë të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me uniforma ushtarake dhe aksesorët përkatës nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.
11. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos