Qytetarët po përgatiten për festat dhe pushimet e fundvitit, ndërsa urgjencat kalojnë në gatishmëri. Afro 2 mijë mjekë dhe infermierë në të gjithë vendin do të jenë në shërbim për ditët e festave për të ofruar ndihmë mjekësore për çdo qytetar.
Nga spitali Traumës, ministrja e Shëndetësisë dhe mjekë të këtij spitali deklaruan masat e ekipit shëndetësor për natën e ndërrimit të viteve dhe ditët e festave. “Stafet mjekësore do të jenë në gatishmëri në të gjitha spitalet e vendit. Edhe strukturat e sistemit parësor do të jenë në gatishmëri. Janë afro 2 mijë personel që do të jenë në gatishmëri për të shërbyer për çdo nevojë që do të kenë qytetarët.
Kur i referohemi strukturave, Urgjenca është në gatishmëri të shtuar përgjatë fundvitit. Do të doja të bëje edhe një urim për të gjithë stafin shëndetësor që do të jetë gatishmëri. Gëzuar festat!”, tha ministrja Albana Koçiu.
Urgjenca Kombëtare është e para strukturë shëndetësore që kalon në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo situate dhe problematike gjatë festave.
Skënder Brataj, kreu i Urgjencës u bën thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes me fishekzjarrët dhe të shmangin përdorimin e alkoolit nëse kanë planifikuar udhëtime. Afro 50% e urgjencave edhe për festat e fundvitit ndodhin për shkak të aksidenteve në rrugë dhe kryesisht nga moshat e reja. Mjekët përsërisin thirrjet për të bërë kujdes me shpejtësinë dhe alkoolin. (A2 Televizion)