Për të 22-ën ditë radhazi, protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama kanë vijuar qëndresën para godinës së Kryeministrisë, ndërsa disa prej tyre e kanë kaluar natën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gazetari i A2 CNN ishte këtë mesditë para Kryeministrisë për të biseduar me protestuesit. Në një lidhje me Ditarin e Fundjavës me Denisa Pashollin në A2 CNN, njëra nga protestueset, një nënë e re e cila ka hedhur mbi shpinë flamurin kombëtar, tha se nuk do të tërhiqen deri në dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa renditi dhe arsyen pse ka dalë në protestë.
“Ne jemi bashkuar këtu për një qëllim, për një vizion. Duam t'i rrëzojmë këta komunistë, këta të korruptuar edhe të ecim para, sepse Shqipëria është e jona, jo e këtyre hajdutëve dhe qëllimi është që ta realizojmë këtë qëllim që kemi dalë këtu. Së pari, ne nuk kemi kushte, spitale, rrugë që janë gjërat më bazike. Ne ndeshemi me problematika çdo ditë. Ndeshemi çdo ditë me problematika. Pse? Sepse nuk kemi shtet”, tha ajo për A2 CNN.
Ndërkohë një tjetër protestues e quan të jashtëzakonshme pjesëmarrjen e diasporës në protestë, çka i ka motivuar më shumë për të vijuar protestën deri në dorëheqjen e kreut të qeverisë. Ai i bëri apel edhe SPAK-ut që të ndërhyjë.
“Për mua ishin një atmosferë e jashtëzakonshme, sepse të kesh mbështetjen jetë të diasporës është 100 herë më shumë në zemër merr në protestë dhe ne kemi kaluar gjithë natën pa gjumë edhe kemi ndenjur zgjuar edhe kërkojmë të rrimë zgjuar. Nuk do dorëzohemi deri ku të japë dorëheqjen Edi Rama. Unë protestoj për të drejtat e mia. Kërkojmë drejtësi dhe dorëheqjen e zotit Edi Rama i kërkojmë SPAK-ut që të marrë masat për një kriminel që populli nuk e do”, theksoi ai për A2 CNN.
Ndërkohë, bazuar në disa informacione jo zyrtare, gazetari i A2 CNN Marjo Brakaj bëri të ditur se po shqyrtohet mundësia që gjatë ditës së nesërme të ketë bllokime të pjesshme të institucioneve dhe akseve rrugore në kryeqytet, si një formë përshkallëzimi e protestës.
“Një informacion i cili duhet marrë gjithsesi me rezerva, vlen për ta specifikuar, sepse jepet në rrugë jo zyrtare dhe jepet nga individë të cilët janë prirës të protestave të frontit të parë, por nuk mund t'ju jepet gjithë atributi për organizimin e protestës. Ditën e nesërme vlerësohet se mund të ketë edhe një bllokim, një paralizim të pjesshëm të institucioneve në kryeqytet. Pra është ditë pune dhe do të tentohet që në disa prej institucioneve të bllokohet puna, madje dhe në disa rrugë mund të ketë edhe bllokada, por ky duhet të jetë një informacion i marrë, me rezerva pasi jepet nga disa fragmente të organizatorëve të protestës. Mbetet për t'u parë, do duhet që të merret një leje nga policia. Janë tre të paktën persona që deri më tashmë kanë paraqitur kërkesat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe më pas kanë marrë përgjigjet për oraret e protestës. Kështu që do mbetet për t'u parë”, tha gazetari i A2 CNN.
(A2 Televizion)