
Një grup teknik ndërsektorial është mbledhur në Durrës për rastin e tre fëmijëve që janë denoncuar nga gjyshja e tyre që mbaheshin në kushte mjaft të rënda higjieno-sanitare, por edhe kequshqyerje nga nëna e tyre e divorcuar.
Pas bërjes publik të rastit fëmijët janë marre në mbrojtje dhe aktualisht po trajtohen në repartin pediatrik të spitalit të Durrësit, ku pranë tyre ndodhet edhe e ëma, e cila pretendon se nuk i ka braktisur fëmijët, por përpiqet të sigurojë të ardhura për ushqim dhe pagesën e qirasë.
Sakaq, burime nga bashkia e Durrësit bëjnë me dije se rasti në fjalë është ndjekur që në muajt nëntor dhe dhjetor, por sipas inspektimit të kryer atëherë gjendja e banesës nuk ishte në kushtet që e ka e paraqitur gjyshja e tre fëmijëve.
Ndërsa nëna e minorenëve sipas bashkisë nuk kishte pranuar një punë të ofruar nga institucionet lokale që ishte fleksibël dhe oraret e shkollës së fëmijëve.
Tashmë do të jetë grupi ndërsektorial që do të vendosë mbi të ardhmen e fëmijëve dhe nëse nëna e tyre do të ndiqet apo jo ligjërisht për gjendjen në të cilën kishte lënë fëmijët e saj. (A2 Televizion)