Pas 3 orësh mosbindje civile opozita përmbylli në orën 20:00 protestën e radhës e cila nisi në orën 17:00 duke bllokuar 5 pikat kryesore të kryeqytetit. Këtë herë protestës i printe për herë të parë Sali Berisha, pas lirimit nga arresti shtëpiak. Ai marshoi drejt shesheve të protestës duke nisur nga Rruga e Elbasanit ku ishte ndalesa e tij e parë, për të vijuar te bashkia e Tiranës, te Zogu i Zi, Pallati me Shigjeta dhe për ta përmbyllur te sheshi Ëillson. Në të gjitha ndalesat kreu demokrat pati nga një prononcim për mediat, ku fokusi ishte te qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira.
“Çdo formë e mosbindjes civile është e mundshme. Ne tërhiqemi vetëm kur të votohet qeveria teknike dhe zgjedhje të lira”, tha Berisha nga Rruga e Elbasanit, raporton A2 CNN.
Nuk munguan akuzat ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, kryebashkiakut Veliaj, por edhe funksionarëve të tjerë të policisë.
“Nuk ka pasur kurrë kjo bashki një kufomë të pakallur siç ka tani Erion Veliajn. I dhatë hajdutit atë që meritonte, e diskredituat, e bëtë të ikë si mi, nga një krah në një krah tjetër dhe s’di se ku është”, u shpreh Berisha nga Bashkia e Tiranës, transmeton A2 CNN.
Nuk munguan as incidentet dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit, të cilët shoqëruan disa qytetarë në polici. Te sheshi Wilson, Zogu i Zi dhe Bashkia e Tiranës protestuesit u shpërndanë më herët pas ndërhyrjeve të vazhdueshme nga ana e policisë, përcjell A2 CNN..
Ndërsa te Pallati me Shigjeta dhe Rruga e Elbasanit qarkullimi u mbajt i bllokuar deri në orën 20.00. Ra në sy përplasja e nënkryetarit të PD, Agron Gjekmarkaj me Policinë te Pallati me Shigjeta i cili për pasojë humbi ndjenjat dhe u dërgua te Spitali i Traumës për kujdes mjekësor, shkruan A2 CNN.
Berisha dhe Noka akuzuan Policinë se ushtroi dhunë ndaj nënkryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar këtë një akt të paprecedentë dhune që do të mbajnë përgjegjësi urdhëruesit dhe zbatuesit e saj.
"I dhunuar në mënyrë barbare nga policia ai (Gjekmarkaj) po shkon drejt spitalit për kujdes shëndetësor. Ky është një akt i paprecedentë nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhunohet shkelmohet dhe është në gjendje jo të mirë në spital. Do ta paguajnë, është radha jonë po vjen koha jonë. Ne po regjistrojmë çdo gjë çdo emër çdo njeri që e regjistron”, tha Noka.
Ndërsa Policia e Tiranës hhodhi poshtë akuzat e Sali Berishës dhe Flamur Nokës se nënkryetari i Parlamentit Agron Gjekmarkaj është goditur prej disa efektivëve gjatë protestës së të hënës.
Vetë Agron Gjekmarkaj nga spitali reagoi duke akuzuar policinë se ushtroi dhunë.
“Më ushtruan presion në gjoks dhe mbeta pa frymë", tregoi vetë Gjekmarkaj, teksa kreu demokrat e vizitoi në spital.
Demokratët denoncuan gjithashtu edhe dhunë të ushtruar ndaj kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi.
Kjo është mosbindja civile e pestë e opozitës, e cila zgjati 3 orë ndërsa u zhvillua në kushte atmosferike të pafavorshme, pasi reshjet e shiut vijuan me intensitet përgjatë gjithë ditës. (A2 Televizion)