Opozita vijon prej orës 17:00 protestën e pestë të mosbindjes civile duke bllokuar nyjet kryesore të kryeqytetit. Këtë herë protestës i prin Sali Berisha, i cili doli nga arresti shtëpiak më 27 nëntor, raporton A2 CNN. Fillimisht ai iu bashkua militantëve dhe protestuesve në "Rrugën e Elbasanit", pranë xhamisë së Namazxhasë, ku përsëriti kërkesën për qeveri teknike si i vetmi kusht vetmja për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme.
"Qeveri teknike, po s'e pranoi Rama rrëzohet. Me Ramën nuk ka zgjedhje, ka betejë për zgjedhje. Zgjedhjet nuk bojkotohen. Do bëjmë gjithçka që kjo diktaturë të dëbohet me mosbindje civile", u shpreh Berisha, raporton A2 CNN.
Më pas kreu demokrat u zhvendos te bashkia e Tiranës ku sulmoi ashpër kryetarin Erion Veliaj, shkruan A2 CNN.
“Nuk ka pasur kurrë kjo bashki një kufomë të pakallur siç ka tani Erion Veliajn. I dhatë hajdutit atë që meritonte, e diskredituat, e bëtë të ikë si mi, nga një krah në një krah tjetër dhe s’di se ku është. Kjo mosbindje civile e juaja do të rezonojë në vite e vite si beteja më e fuqishme kundër vjedhjes së qytetarëve, për rikthimin e shtëpisë së parë qytetarëve të Tiranës”.
Pas kësaj Berisha po i bashkohet protestuesve te Zogu i zi.
Protestuesit vijojnë të qëndrojnë te; Kryqëzimi te xhamia e Namazgjasë, Pallati me Shigjeta, sheshi Willson, rrethrrotullimi i Zogut të Zi dhe rruga pranë Bashkisë Tiranë.
(A2 Televizion)