“4 telefona brenda në Playstation”, ish-drejtori i Burgut tregon aksionin

Nga A2 CNN
21 Maj 2026, 08:49 | Aktualitet

“4 telefona brenda në Playstation”, ish-drejtori i Burgut

Ndërkohë që kohët e fundit Drejtoria e Burgjeve ka shtuar kontrollet për futjen e sendeve të paligjshme në këto institucioneve, ish-drejtori i burgut të Peqinit, Faik Basha, ka treguar në Dita Jonë në A2 CNN, një rast të tentativës së futjes së telefonave celularë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, të fshehur në një pajisje “PlayStation”. Ai tha se informacioni i kishte mbërritur paraprakisht dhe se pajisjet elektronike që futen në burg kontrollohen nga një ekip i posaçëm.

“Kam patur një rast ku më vjen një informacion që nëpërmjet pajisjeve elektronike janë futur telefona dhe do vijnë brenda me postë. Ka një ekip që kontrollon të gjitha pajisjet që futen brenda. Një herë në javë ditën e premte në orën 2:00 e kishim ne, mblidhet komisioni, ne kishim elektricist se duhet të kesh specialist IT, por që për aq sa duhet është Ok dhe shefat e shërbimit të jashtëm e të brendshëm që asistojmë”, tha Basha në Dita Jonë në A2 CNN.

Sipas Bashës, gjatë kontrollit, pajisja fillimisht u vu në prizë dhe rezultoi funksionale, ndërsa më pas nisi procesi i hapjes së saj.

“Kontrolluam pajisjet dhe këto pajisje i lamë për në fund dhe u pa pajisja. Ishte Playstation nga modelet e vjetra. U vendos në prizë, punonte dhe pastaj do bëhej procesi i hapjes së brendshme, ishin pak të vështira. Kur u hap pajisja brenda ishin 4 telefona kishin shkuar te një ekspert të këtyre pajisjeve i cili kishte krijuar hapësira e mundësi për ta futur brenda dhe për ta bërë funksionale”, theksoi ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Ai shtoi se pajisje si frigoriferët dhe televizorët zakonisht nuk hapen për kontroll të brendshëm, pasi blihen direkt nga institucioni në qendra të mëdha tregtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos