
Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimet e karburanteve në vend, duke ulur me 3 lekë çmimin e naftës dhe me 1 lek çmimin e benzinës. Vendimi i ri hyn në fuqi sot, më 20 maj 2026, në orën 18:20.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 do të jetë maksimumi 202 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë do të jetë jo më shumë se 190 lekë për litër, shkruan A2CNN.
Ndërkohë, benzina e standardit SSH EN do të tregtohet me një çmim maksimal prej 188 lekësh për litër në shitje me pakicë dhe 176 lekë për litër në shitje me shumicë.
Bordi i Transparencës thekson se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
(A2 Televizion)