Fitoi betejën me kancerin, shqiptarja tregon diagnostikim në të njëjtën ditë me nënën

Nga A2 CNN
20 Maj 2026, 09:36 | Aktualitet

Blerina Qerimi ka zgjedhur studion e “Dita Jonë” në A2 CNN për të ndarë historinë e pazakontë dhe kalvarin e vuajtjeve pas diagnostikimit me kancer. Dy vite më parë, më 20 maj 2024 ajo zbuloi përmes vetëkontrollit një masë të vogël në gji, pa e imagjinuar se jeta e saj do të ndryshonte rrënjësisht.

“Kam shkuar atë ditë te mjeku dhe më ka thënë që është diçka shumë e zakonshme, nuk është diçka serioze. Shqetësimet më kanë ardhur dy-tre muaj më vonë kur ka filluar masa duke u rritur, kam pasur një kancer agresiv. Nuk kam pasur mundësi për një kontroll më të detajuar se kam qenë në  një shtet të huaj që nuk mu ka dhënë mundësia me bërë një kontroll më të detajuar. Ka shkuar gjashtë muaj, unë pa asnjë kontroll siç duhet dhe masa veç u rrit me përmasa shumë të mëdha për gjashtë muaj. Unë punoja në të zezë”.  

Në të njëjtën periudhë, Blerina tregon se mori edhe lajmin tronditës që nëna e saj ishte diagnostikuar me kancer.

“Po brenda vitit, nëntor 2024 ku më kanë treguar që edhe nëna është me kancer se për mua nuk është ditur nëse kam kancer ose thjesht një gjendër edhe pse brenda meje thellë e dija që diçka nuk është në rregull. Kam kuptuar që nëna është me kancer e të nesërmen jam nisur për Kosovë. Ditën që kam shkuar atë ditë nëna e ka pas operacionin edhe e ka ditur për mua që kam diçka e kam një gjendër të vogël po që prapë shpresuam që nuk është kancer. Nëna sa është në operacion unë një kat më poshtë e kam bërë kontrollin për vete dhe më kanë thënë që e kam një kancer të avancuar”.

Pikërisht atë ditë ajo u diagnostikua se vuante nga një formë agresive dhe e avancuar e kancerit.

“Doktori mi ka thënë fjalët më të rënda që mundet me ju thënë një pacienti sidomos në ditën e parë. Fjalët e doktorit kanë qenë kështu: Je vonuar shumë. Po ta shkruaj numrin e telefonit personal, vjen në Fushë Kosovë, ta bëj një biopsi në privat, të fus menjëherë në operacion po atë ditë në operacion, e heqim gjoksin, e bëjmë një operacion plastik. Domethënë ditën e parë nuk më ka kërkuar as analizë”, rrëfen ajo në Dita Jonë në A2 CNN

Për të nisur trajtimin, ajo u detyrua të largohej drejt Francës, ku nisi një betejë të gjatë me sëmundjen. Blerina tregoi se kaloi 37 seanca kimioterapie, radioterapi dhe ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe e mbajti të fshehtë sëmundjen nga nëna e saj, duke komunikuar çdo ditë me video dhe duke përdorur paruke për të mos e shqetësuar.

“Kur erdha unë në Francë kam filluar prej zero, domethënë prapë kam filluar me biopsi, rezonanca, skanerat, gjithçka që duhej. Prita dy muaj derisa kam filluar mjekimet. Për dy muaj prej skanerit të parë që e kam bërë kur kam ardhur, metastazat kanë filluar të rriten e u shpërndanë deri në qafë, edhe nëpër eshtra. Me nënën kam folur çdo ditë me kamerë.  Paraprakisht jam përgatitur për kohën kur kam qenë pa flokë. Kam pasur dhuratë një paruke që ma ka dërguar një shoqe, ishte identike me flokët e mia”, tha ajo.

Sot, dy vite pas diagnostikimit, ajo dhe nëna e saj e kanë fituar betejën me kancerin. Vetëm pesë ditë më parë, Blerina përfundoi kimioterapinë e fundit, duke dhënë një mesazh shprese dhe kurajoje për të gjithë pacientët që përballen me këtë sëmundje.

“Kam pasur një mbështetje emocionale shumë të madhe prej njerëzve, prej rrjeteve sociale. Mbështetja emocionale është ajo terapia që nuk merret në ilaçe”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos