Në ditën e pestë të protestave kundër qeverisë, studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë marshuar nga fakulteti drejt Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Me thirrjet “Ju erdhi fundi” dhe “Revolucion”, studentët janë ndalur përpara ministrisë, duke shprehur pakënaqësinë për situatën në vend dhe kushtet në të cilat zhvillojnë studimet.
Një studente e vitit të tretë të Mjekësisë deklaroi për A2 CNN se studentët përballen me probleme gjatë praktikave mësimore dhe ngriti shqetësime për kushtet në spitale, pajisjet dhe medikamentet. Ajo kërkoi ndryshim të qeverisjes dhe dëgjimin e zërit të studentëve.
“Në cilin shtet demokratik kryeministri nuk ka asnjë reagim ndaj gjithë vuajtjes të studentëve? Na ka ardhur në majë të hundës. Jemi studentë mjekësie. Nuk kemi çfarë të shohim nëpër spitale. Jeni duke vrarë studentët. Jeni duke vrarë minorenë. Nuk ju vjen pak turp. Të largohet Rama, të bëhet qeveri komplet ndryshe, të vijnë studentët të jenë në krye”, deklaruan studentet për A2 CNN.

Studentja tha se gjithashtu se disa prej të njohurve të saj janë shoqëruar dhe dhunuar nga policia gjatë protestave të ditëve të fundit.
Një tjetër gjimnazist tha se janë dhunuar shokët e tij minorenë.
“Do të vazhdojmë protestën, nuk duam të na rrahin, kemi bërë 5 muaj protestë paqësore nuk i mfatonte, nuk jep dorëheqjen. Si do futemi ën BE me këtë shtet? Këta janë duke luftuar me shtetin e vet., unë nuk jam dhunuar por shokët e mi minorenë janë dhunuar. Kam frikë, çdo ditë më duket se do më kapin”, tha një tjetër i ri.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, raporton se forcat e policisë ishin pozicionuar në rrugën e Durrësit dhe pranë Ministrisë së Arsimit, ku ndodhet edhe autoboti me ujë, në gatishmëri për menaxhimin e situatës. (A2 Televizion)