Çdo ditë me të njëjtin intensitet, emocion dhe pasion. Kështu i përshkruan kryeredaktori i A2 CNN, Elert Yzeiri, 5 vitet e drejtimit të punës në A2 CNN. Në studion e “Dita jonë” ai solli në vëmendje në mënyrë kronologjike ngjarjet që kanë shenjuar udhëtimin 5-vjeçar të këtij televizioni me arritjet dhe sfidat që e presin.
“Janë 5 vitet më të forta dhe intensive. Më vendosën në tavolinë parimet e CNN dhe faktet flasin vetë. Nuk bëmë TV banal për të mbushur orët e transmetimit, por për t’i shërbyer njerëzve dhe për t’i informuar me mënyrën më të drejtë. Kemi kaluar pandeminë, tërmetin e 26 nëntorit 2019. Aty kam parë edhe një profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Kanë qenë sfida që kam pasur ego profesionale dhe kam pasur besimin se mund të bëjmë më shumë seç kemi bërë. Vajtja në Siri nuk ishte aventurë, atje ishin 80 shqiptarë. Ne shkuam t’i dokumentonim dhe shkuam t’i jepnim një sinjal shtetit. Dhe pati edhe reagime nga qeveria”.
Për herë të parë, Yzeiri tregon edhe një nga momentet më të vështira, një ditë para nisjes së transmetimit.
“Ne përdorim një sistem nga më të vështirët që përdorin BBC, CNN dhe ka qenë vështirë se serverat nuk merrnin komandot e duhura. Një natë para transmetimit na ra serveri, dy orë para na ra sërish serveri. Bëmë mbledhje urgjente dhe të gjithë ishin të frikësuar. U thashë gazetarëve që: "Për ne është e rëndësishme ta bëjmë këtë ushtrim dhe njerëzit do të kenë mundësi të na shohin ne për atë që do të prodhojmë. Ne do të bëjmë atë që bëri Andrea Bocelli në San Remo”.
Teksa përmend bashkëpunëtorët e ngushtë dhe partneritetin ekskluziv me CNN, ai thotë se norma më e rëndësishme është besueshmëria.
“Është një kontratë ekskluzive me rinovim të herëpashershëm me CNN. Besueshmëria është baza e punës së përditshme. Brandi është shumë i rëndësishëm, ne ruajmë balancën dhe mbi të gjitha profesionalizëm në atë që transmetojmë.”
Teksa tregoi me sinqeritet pikat e dobëta, Yzeiri ka folur edhe për sfidat e ardhshme të këtij televizioni, ku njoftoi se më 15 janar nis transmetimi edhe në Kosovë.
“Kemi nisur gazetarinë shpjeguese. Kjo është gazetaria që duhet të shkojë te njerëzit, këto janë ato që bëjnë diferencën. Po forcojmë kanalin e YouTub-it. Kemi marrë licencën për Kosovën dhe nga 15 janari fillojmë transmetimet në Kosovë”. (A2 Televizion)