
Korrupsioni në vendin tonë është kthyer në pandemi. Këtë shqetësim ngriti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ish-prokurori Eugen Beci, në vijim të debatit për korrupsionin në Shqipëri. Sipas tij, SPAK po shton nga viti në vit dosjet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, duke zbuluar raste korrupsioni pothuajse në çdo institucion ku ndërhyn.
“Shohim që Prokuroria e posaçme sa herë e drejton shigjetën, busullën, shënjestrën, po thoni ju, në çdo ministri, në çdo dikaster shtetëror, gjithmonë gjen patjetër o një grup strukturuar, o një titullar të korruptuar. Se ku është pakësuar korrupsionin, këtë nuk arrij kuptoj, por di të them që Prokuroria e posaçme nga viti në vit po shton dosje të cilat kanë lidhje me korrupsionin e zyrtarëve të nivelit të lartë. Di të them që në çdo segment të administratës shqiptare ku ndërhyn prokuroria patjetër do gjejë shkelje ligjore që përkthehen në shkelje penale jo administrative se shkeljet administrative nuk i llogarit njeri. Dhe ky fakt tregon më së miri mënyrën se si korrupsioni është kthyer në pandemi. As endemik nuk është më. Është kthyer në një pandemi e cila patjetër që do reflektohet duke u luftuar. Por çudia më e madhe në Shqipëri po ndodh kjo që Prokuroria e posaçme e ka rritur stekën, kudo ku shkon arreston dhe prapë përsëri po të bë bëj të njëjtin operacion në të njëjtin dikaster përsëri do të gjejë të njëjtit njerëz që mund të korruptojnë”, theksoi Beci, në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij edhe pse SPAK ka intensifikuar hetimet dhe arrestimet, korrupsioni vijon të mbetet i përhapur, çka tregon mungesën e mekanizmave parandalues.
“Këtu problemi i vetëm është përse ne nuk kemi një fuqi parandaluese të gjithë këtyre elementëve penalë të cilat po i përdor me shumë sukses Prokuroria e Posaçme. Atëherë në rast se fuqia parandaluese e prokurorisë së posaçme në veprat penale kundër korrupsionit është zero, ka disa elementë të kriminologjisë që e justifikojnë dhe e shpjegojnë sistemi çedon dhe kur flasim për sistemin flasim për sistemin politik dhe të tërë elementët mbështetës të prokurorisë së posaçme që janë llojet e policive, llojet e agjencive që luftojnë korrupsionin janë të dala jashtë loje. Të tërë elemente e pushtetit ekzekutiv janë të dala jashtë loje dhe Prokuroria e Posaçme ngelet dhe dorëzohet dhe nuk mund të kemi element të cilit quhen fuqi parandaluese, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai kritikoi edhe gjendjen e sistemit të drejtësisë pas reformës në drejtësi, duke e cilësuar atë në kolaps të plotë, për shkak të numrit të madh të dosjeve dhe vonesave në shqyrtimin e konflikteve civile, administrative dhe penale.
“Sistemi i drejtësisë në reformën që ka pësuar nga 2016 deri më sot është në kolaps të plotë dhe është në katastrofë. Në rast se sistemi i drejtësisë është në kolaps të plotë, është në katastrofë dhe këtu të flasim me shifra. Kemi 160.000 stokun e dosjeve. Nënkuptojmë që një konflikt civil, një konflikt administrativ, një konflikt penal, një konflikt dhe të gjithë këto elementë duke mos zgjidhur konfliktin civil për një vit, duke zgjidhur për 10 vjet, do të thotë që ti prish tërë ekuilibrin e ekonomisë dhe nuk bie dakort që mund të eci ekonomia”, theksoi ai.
Sipas ish-prokurorit, mosfunksionimi i drejtësisë ndikon në ekonomi, administratë dhe klimën e biznesit, ndërsa ngriti shqetësimin për perceptimin ndërkombëtar të Shqipërisë në lidhje me pastrimin e parave dhe krimin e organizuar.
“Në rast se drejtësia nuk funksionon, nuk mund të ecë as ekonomia, nuk mund të ecë as administrata, nuk mund të ecë as shoqëria civile dhe nuk mund të ecë as shoqëria, përsa i përket çështjeve penale. Në rast se ne kemi një ekonomi të zhvilluar, si ka mundësi që çdo raport ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar Shqipërinë e targeton si vendin parajsë për të pastruar produktet e veprës penale ose ajo që quhet rëndom pastrimi i parave?” (A2 Televizion)