
Gazetari Misha Pumo, në një lidhje direkte nga Moska në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, foli për paralajmërimin e Rusisë ndaj trupit diplomatik dhe qytetarëve të huaj që të largohen nga Kievi përpara sulmeve të mundshme.
“Rusia rekomandoi, jo urdhëroi, që diplomatët dhe qytetarët e huaj të largohen sa më shpejt nga kryeqyteti ukrainas për shkak të sulmeve që mund të ndodhin së shpejti”, deklaroi Pumo.
Sipas tij, Moska mund të përdorë mjete të rënda luftarake, përfshirë raketat “Kinzhal”, “Iskander” dhe “Oreshnik”, si edhe qindra dronë luftarakë.
Gazetari theksoi se deklaratat zyrtare ruse flasin për goditje ndaj institucioneve shtetërore, njësive ushtarake dhe uzinave të prodhimit ushtarak në Ukrainë.
“Rusia ka paralajmëruar që qytetarët të qëndrojnë larg ndërtesave shtetërore dhe objekteve ushtarake. Flitet edhe për goditje ndaj ‘pikave të vendimmarrjes’, por pa specifikuar konkretisht cilat janë ato”, u shpreh ai.
I pyetur për mundësinë e një përplasjeje direkte mes Rusisë dhe NATO-s, Pumo tha se situata mbetet e tensionuar dhe nuk mund të përjashtohet një agravim i mëtejshëm.
“Nëse intensifikohen sulmet me dronë drejt territorit rus, sidomos në zonën e Balltikut, një përplasje më e gjerë nuk përjashtohet. Situata është si një tenxhere me presion që herë pas here lëshon avull”, tha gazetari nga Moska. (A2 Televizion)