Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti ngriti shqetësimin mbi fenomenin e kopjimit gjatë provimeve të Maturës Shtetërore, në një deklaratë të bërë në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN.
Sipas Mehmetit, niveli i lartë i kalueshmërisë në provimet e maturës nuk pasqyron cilësinë reale të arsimit, ndërsa theksoi se fenomeni i kopjimit mbetet shumë i përhapur.
Sipas ekspertit Shqipëria është vendi me kalueshmërinë më të lartë të maturantëve në Europë, shifra që sipas tij do t’i kishte zili edhe Enver Hoxha.
“Në Shqipëri s’ka ndonjë panik se të gjithë e dinë që kopjojnë lehtshëm në provimin e maturës shtetërore, 70-80 për qind. E ka vërtetuar QSHA-ja jo unë. Ne jemi vendi i parë në Europë që kemi kalueshmërinë më të lartë të maturantëve. Do ta kishte zili Enver Hoxha. Kur isha i vogël dhe në komunikata thuhej ‘do të kemi kalueshmëri 75 për qind’, thosha unë ‘po pse kaq shumë ngelen këtu në shkollë?!’Ne e kemi kalueshmërinë 96,8 për qind! Ku jemi neve?! Ne kemi një numër të shtuar të atyre që s’dinë të shkruajnë e të lexojnë, kjo është e vërtet, por jo të atyre që ngelen”, tha ai. (A2 Televizion)