
Ministria e Shëndetësisë ka bërë bilancin e personave që morën kujdes shëndetësor pas protestës së dhunshme të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjithsej 89 persona iu drejtuan strukturave spitalore, mes tyre 61 efektivë policie dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT.
Aktualisht, në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të jenë të shtruar katër efektivë policie dhe dy protestues, të cilët do të mbeten nën kujdesin e ekipeve mjekësore.
Ndërkohë, në QSUT të gjithë pacientët e trajtuar në Urgjencën Polivalente, shërbimin e Djegie-Plastikës dhe atë të Okulistikës janë larguar pas marrjes së mjekimit të nevojshëm.
Ministria bën me dije se në Spitalin Universitar të Traumës pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore një protestues dhe dy efektivë policie. Sipas njoftimit, të tre janë koshientë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka aktualisht persona të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor. (A2 Televizion)