“Thyejnë çdo gjë që u del përpara”, gazetari: Të rinjtë nuk ndalen, policia s’po i menaxhon dot

Nga A2 CNN
14 Tetor 2026, 20:39 | Aktualitet

Nga Rruga e Kavajës gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta raportoi për Off the Record me Andrea Dangllin se vijojnë tensionet dhe aktet e shkatërrimit edhe në këtë rrugë. Sipas tij protestuesit kanë thyer barriera metalike, kangjella, tabela sinjalizuese dhe vazo lulesh, si edhe u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave dhe reklamave. Ai thekson se kjo protestë është ndër më të vështirat për t’u menaxhuar.

“Qytetarët protestues po marshojnë në këtë aks rrugor duke prishur gjithçka që i del para, duke thyer pra barrierat metalike, kangjellat e trotuarit po ashtu dhe tabelat sinjalizuese dhe vazot e luleve pranë trotuarit në rrugën e Kavajës. nisur pra një situatë e njëjtë si në çdo aks rrugor të kryeqytetit ku qytetarët protestues çfarë shohin para e thyejnë dhe e shkatërrojnë janë duke vendosur flakën edhe reklamave në rrugë është e njëjta skemë”, tha gazetari për Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Gazetari i A2 CNN tha se një tjetër institucion financiar është sulmuar, ku protestuesit kanë thyer derën kryesore dhe i kanë vënë flakën hyrjes së bankës. Dëmtime janë raportuar edhe në biznese private dhe objekte të tjera.

“E gjithë rruga e Kavajës është totalisht e paralelizuar dhe e bllokuar. I është vënë flaka sërish një institucioni financiar tjetër, një banke të nivelit të dytë. Thyhet dera kryesore e kësaj banke dhe i vendoset flaka hyrjes së këtij institucioni privat financiar. E gjithë Tirana është në diktatin e qytetarëve protestues të cilët marshojnë kudo të lirë dhe shkatërrojnë dhe thyejnë çfarë u del përpara. Ne po ecim në marshim me grupin e qytetarëve protestues ku çdo gjë është e shkatërruar. Çfarë del para shkatërrohet. Dritat e trotuarit në rrugën e Kavajës janë hequr dhe po shemben të gjitha vazot e luleve me sende të forta, barrierat metalike, kangjellat, çdo gjë që ju del përpara po e shembin dhe po e shkatërrojnë. Ndërkohë që policia e shtetit deri në këto momente është inekzistente, nuk ka forca policie në rrugën e Kavajës”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas gazetarit të A2 CNN, ndryshe nga protesta e një dite më parë, kur pati përplasje të forta dhe shoqërime të protestuesve, këtë herë policia është treguar më e tërhequr, duke përdorur kryesisht autobotët me ujë dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.

“Kemi parë një qasje ndryshe ditën e sotme të policisë krahasuar me protestën e djeshme ku pati përplasje të ashpra. Sot kemi një polici e cila qëndron e tërhequr, e cila nuk kryen asnjë veprim. Veprimi i vetëm që kryen është shpërndarja e turmës me autobotin me ujë dhe me gaz lotsjellës. Nuk kemi parë përplasje të ashpra mes policisë dhe qytetarëve protestues ,kanë qenë këto të fundit të cilët kanë sulmuar me sende të forta dhe me gurë efektivët e policisë të cilët kanë qëndruar pasiv dhe nuk kanë reaguar krahasuar me reagimin e tyre të fortë dhe të ashpër në protestën e djeshme. Është një nga protestat më të vështira për t'u menaxhuar nga policia e shtetit”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Në terren ndodhen drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, përfshirë drejtorin e përgjithshëm Skënder Hita, ndërsa në ndihmë të forcave të Tiranës janë angazhuar edhe efektivë nga drejtoritë vendore të qarqeve të tjera.

Sa u përket të lënduarve, sipas informacionit nga spitali, pesë persona kanë marrë ndihmë mjekësore: dy protestues dhe tre efektivë policie. Të gjithë raportohet se janë në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në QSUT nuk janë raportuar të lënduar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos