Kryepolici Skënder Hita nuk vonoi të vinte në zbatim kompetencat që i njohu ndryshimi i ligjit. Në fillim të kësaj jave nga tryeza e tij u nisën shkresat me ndryshime të forta në polici.
Emërimi i parë është Kastriot Skënderaj në krye të Policisë së Elbasanit. Me një përvojë të gjatë në polici, ku ka shërbyer si drejtor në qarkun e Beratit dhe të Tiranës, shkruan A2 CNN. Në Elbasan zëvendëson Fatmir Hoxhën, i cili edhe katër muaj mbush moshën e pensionit.
Ndërkohë qarku i Beratit vijon të mbetet pa një drejtues të emëruar të Policisë, pas transferimit të Luigj Vathit në detyrën e drejtorit të Kufirit në Korçë.
Burime bëjnë me dije se për drejtimin e Policisë së Beratit i është propozuar posti Gjovalin Lokës, por ky i fundit nuk ka pranuar të marrë detyrën, pasi ka kërkuar të drejtojë një qark tjetër. Brenda javës Hita pritet të emërojë drejtuesin e ri për Beratin.
Ndryshime kanë ndodhur edhe në qarkun e Tiranës, ku Kryekomisar Dashnor Muhaj transferohet nga Zëvendësdrejtor për Rendin në Specialist në Departamentin për Kufirin në Drejtorinë e Përgjithshme.
Në ditët në vijim pritet të ketë ndryshime edhe në qarqe të tjera në të cilat nuk janë ndryshuar drejtuesit që prej marrjes së detyrës si kryepolic nga Hita. Burime bëjnë me dije se pas Elbasanit pritet të ketë lëvizje në të paktën katër qarqe. (A2 Televizion)