“Çadra e shezlongë të djegur, të kthyer në grumbull thëngjinjsh dhe punonjës që përpiqen t’i ndërrojnë ato me të reja. Është kjo situata në Shëngjin, 24 orë pasi flakët e zjarrit nuk kursyen edhe vijën bregdetare duke detyruar turitët të largohen e lënë pas dëme të konsiderueshme ekonomike.”
Për Burimin dhe Fitoren të ardhur nga Prishtina, ky fund-korrik duhet të shënonte ditën e parë të pushimeve verore, por flakët e zjarrit që përfshinë resortin ku çifti kishte prenotuar i shtynë pak ato.
“Ne kemi prenotuar në këtë resortin këtu për një javë. Sot erdhëm, por gjetëm këtë situatën kështu. Folëm me administratorin dhe na shpjegoi se çfarë kishte ndodhur. Sot nuk do të pushojmë këtu pasi nuk ka as energji elektrike. Do kthehemi nesër ndoshta,” tregon një çift pushuesish nga Kosova që po largohen.
Dëshmitare e flakëve të zjarrit që zbritën nga kodrat e Shëngjinit për të përfshirë vijën bregdetare të qytetit ishte edhe e reja Doruntinë nga Kosova. Me gjithë frikën e një nate më parë, ajo është rikthyer të vijojë pushimet në një nga resortet e tjera të Ranës së Hedhun.
“E pamë zjarrin që nga ku po qëndrojmë dhe helikopterin, Ishte e frikshme. U frikësuam, por sot gjithsesi jemi këtu sot,” shprehet Doruntina, pushuese nga Kosova.
Me kalimin e orëve, ndonëse më të paktë në numër... të tjerë pushues vijojnë t’i japin jetë turizmit në Lezhë.
“U bënë vite që vijmë këtu. I kemi nisur pushimet para katër ditësh. Dje ishim dëshmitarë të flakëve të zjarrit. Ishte e frikshme. Por sot gjithsesi u rikthyem.”
Edhe me më shumë frikë i përjetuan flakët e zjarrit që kërcënonin hotelet e tyre sipërmarrësit në zonë.
“Kishte erë shumë të madhe, që e ndihmoi zjarrin të përhapet me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe. Gjithçka ka ndodhur brenda sekondave, ishte e pamundur ta dije nga vinte zjarri. Ishte një situatë kaotike. Kam tetë vite këtu dhe nuk ka ndodhur kurrë më parë një gjë e tillë,” thotë Ilir Koprani, administrator resorti në Shëngjin.
Veç pushuesve, flakët e zjarreve ngjallën frikë deri në panik te banorët e Shëngjinit. Një ditë më pas aroma e djegies vijon të ndihet e rëndë ndërsa trungjet e pisha të kthyer në thëngjin fillojnë të digjen qetë.
“Po trajtojmë edhe vatrat më të vogla, presim helikopterë, të ribëjmë një rivlerësim të disa vatrave që nuk janë aktive, por historia tregoi që me erën mund të riaktivizohen. Jemi të gjithë këtu, me zjarrëfikësit e Tiranës, Durrësit, Fierit,Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Po punojmë edhe me operatorët turistikë për ta netrualizuar, sepse tek disa ka pasur shok psikologjik, panik te disa pushues, por tani këto janë gjëra të tejkaluara,” deklaroi Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë Lezhë. (A2 Televizion)