Në një kohë që Kuvendi ka nisur procedurën për të plotësuar vakancat në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ambasada Amerikane u bën thirrje deputetëve të mos ndryshojnë listën e dërguar për votim.
Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada shprehet se përzgjedhja e kandidatëve më të kualifikuar dhe me integritetin më të lartë sigurohet vetëm nga përzgjedhja aktuale e kandidatëve nga nënkomisioni.
Ky reagim i ambasadës vjen pas kërkesës së grupit parlamentar të PD-së për të zgjeruar listën e kandidatëve edhe me emrat që ishin skualifikuar në verifikimin e parë nga Administrata e Kuvendit, proces i cili prej demokratëve u cilësua si i pa drejtë.
“Ambasada e SHBA po ndjek nga afër procesin e sotëm të nënkomisionit parlamentar për përzgjedhjen e anëtarëve nga radhët e avokatëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Shtetet e Bashkuara presin që ky proces të rezultojë në përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë – gjë që mund të sigurohet vetëm nga përzgjedhja reale e kandidatëve nga nënkomisioni në vend që t'i drejtohet rastësisë përmes një shorti. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe garanton shtetin e së drejtës”, thotë ambasada në një njoftim në rrjetet sociale. (A2 Televizion)