Dy ditë pasi u ekstradua nga Greqia, Laert Haxhiu, u përball në Gjykatën e Posaçme me dy trupa gjyqësore që lanë të pandryshuara masat e sigurisë “arrest në burg” të dhëna në mungesë të tij për llogari të dy hetimeve të veçanta të SPAK.
Në seancën e parë, gjykata verifikoi masën e marrë në mungesë ndaj Haxhiut, për ngjarjen e njohur si “masakra e Lushnjës”. Në ngjarjen e ndodhur shtatorin e vitit 2017, në përpjekje për të eliminuar fizikisht Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, ish-kreut të Bandës së Lushnjës, mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si edhe u plagosën dy të tjerë.
Haxhiu u gjykua në mungesë në Gjykatën e Posaçme, si kreu i grupit kriminal, që synoi vrasjen e familjarit të Bares dhe më 24 prill 2024 u dënua me burgim të përjetshëm. Me herët për të njëjtin krim janë dënuar përjetë edhe “ushtarët” e tij, Orges Bilbili e Anterio Kaloshi. Në seancën e së premtes Haxhiut nuk iu komunikua dënimi përjetë, që ende nuk është i formës së prerë, por vetëm u vendos vijimi i masës “arrest në burg”.
Në një tjetër seancë të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Laert Haxhiut iu konfirmua masa e sigurisë “arrest në burg”, caktuar në mungesë shtatorin e vitit të shkuar. Një hetim i transferuar në SPAK nga Prokuroria e Elbasanit, që çoi në pranga 12 persona ngriti dyshime për 18 episodet kriminale të kryera nga një grup i drejtuar nga Haxhi. Pas marrjes së dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, prokuroria dokumentoi 18 ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje të realizuar në Peqin, Korçë, Tepelenë dhe Athinë.
Pas dy urdhër-arrestesh, Laert Haxhiu u prangos majin e vitit 2023 në Janinë. Ai kundërshtoi në rrugë gjyqësore kërkesën e palës shqiptare për ekstradim, por nuk mundi të bindë palën greke për të mos e dorëzuar në kufi. (A2 Televizion)