“Baki Goxhaj po kthehet në atdhe”, ministri Hoxha: Ky është misioni ynë, të jemi pranë shqiptarëve kur kanë nevojë

Nga A2 CNN
22 Maj 2026, 09:20 | Aktualitet

“Baki Goxhaj po kthehet në atdhe”, ministri Hoxha: Ky

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, njoftoi se shtetasi shqiptar, Baki Goxhaj, i arrestuar nga autoritetet izraelite teksa po lundronte me anije drejt brigjeve të Gazës, është duke u riatdhesuar, shkruan A2 CNN.

“Shtetasi shqiptar, z. Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Global Sumud”, është tashmë rrugës për në  atdhe. Që në momentin e parë të sinjalizimit, strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkërendim me institucionet e tjera shqiptare kanë ndjekur pa ndërprerje çështjen, në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite”, tha ministri në një postim në X.

“Shqipëria ka qenë e qartë dhe konsistente në kërkesën e saj për respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare, duke reaguar kundër çdo forme trajtimi të papranueshëm”.

Sipas tij, ky rast është një tjetër dëshmi e përkushtimit të Shërbimit të Jashtëm shqiptar për t’u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë “në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë institucional”.

“Ky është misioni ynë: të përfaqësojmë e mbrojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe ato kombëtare, të jemi pranë qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen, kujdesin dhe angazhimin e shtetit të tyre”, tha ministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos