
Mbi 27 mijë nxënës të klasave të pesta do të testohen mbi njohuritë e fituara gjatë ciklit fillor i njohur si VANAF. Testimi do të përfshijë pyetje nga tri lëndët kryesore: Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Dituri Natyre.
Me një mesazh drejtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve para nisjes së provimit, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, teksa u ka uruar suksese nxënësve tha se kjo do të shërbejnë për përmirësimin e procesit të mësimdhënies.
"Të dashur nxënës të klasës së pestë, ju jeni më të vegjlit që bëheni për herë të parë pjesë e sistemit të provimeve, provime që më pas do t’i keni gjatë gjithë jetës. Kam këtë mesazh sot për ju, për t’ju uruar suksese në këtë provim simbolik që nis ciklin e shumë provimeve me të cilat do të ecni në jetë. Por duhet të kuptojmë se është i vetmi sistem i drejtë që njohim deri tani për të matur dijet tuaja dhe për të marrë secili notën dhe meritën që i takon”. (A2 Televizion)