
Ish-ambasadori Arben Çejku ka komentuar në “Ditarin e Pasdites” me Pandi Gjata në A2CNN propozimin e Merz, i cili i ka drejtuar një letër udhëheqësve të Bashkimit Europian, duke sugjeruar përshpejtimin e procesit të anëtarësimit me faza për vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë.
Sipas Çejkut, letra e Merz duhet lexuar në dy këndvështrime kryesore: njëri lidhet me Ballkanin Perëndimor dhe tjetri me Ukrainën, e cila për Gjermaninë dhe BE-në mbetet një çështje me rëndësi të veçantë strategjike.
Arben Çejku: Leximi i letrës ka dy pamje. E para për Ballkanin Perëndimor, por ajo që është më e rëndësishme është qasja ndaj Ukrainës.
Për Gjermaninë dhe BE-në, Ukraina është një vend shumë i rëndësishëm. Si territor është e barabartë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të marra së bashku.
Është një shtytje përpara, një kuptim thelbësor për procesin që shoqëron këto vende. Pak a shumë të gjitha vendet kanë shfaqur probleme të ngjashme. Për BE është e qartë se kush janë pengesat, kush janë mekanizmat që bllokojnë reformat dhe që vonojnë proceset, dhe kush janë mekanizmat që krijojnë probleme të reja.
Ata e dinë që popullata është europiane, por është e lodhur; kjo duket edhe nga letra dhe Bashkimi Europian është i lodhur nga kjo pritje. Edhe pritshmëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë rënë, kështu që duhej një shtytje.
Megjithatë, kjo është thjesht një letër, e cila mund të shërbejë për një akt administrativ nga ana e Bashkimit Europian. Them se do të jetë një shtysë pozitive. (A2 Televizion)