Bashkëpunim për luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera kriminale, ishin në fokus të diskutimit të ministrit të Brendshëm Taulant Balla gjatë vizitës në Spanjë, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Kombëtare.
Balla kërkoi që të ngrihen grupe të përbashkëta hetimore për goditjen e aktiviteteve kriminale, në bashkëpunim edhe me INTERPOL dhe EUROPOL.
Gjatë takimit, ministri vlerësoi mbështetjen e dhënë nga pala spanjolle për Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, sidomos sa u përket trajnimeve për luftën ndaj veprave penale të pastrimit të parave dhe për rikuperimin e aseteve të krimit. Policia e Shtetit ka qenë një ndër përfitueset e projektit të drejtuar nga ekspertët spanjolle për “luftën kundër krimit të organizuar përmes hetimit financiar. Pala spanjolle ka drejtuar punën edhe për hartimin e një manuali për zbulimin e pastrimit të parave dhe rikuperimin e aseteve kriminale.
Ministri Balla ka vlerësuar operacionet e përbashkëta të zhvilluar ndërmjet Policisë Shqiptare dhe Spanjolle, në këtë kuadër edhe operacionin “Anti-skifter”.
(A2 Televizion)